Kosova

Inflacioni në Kosovë 7.5 për qind për muajin shkurt

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar të premten (11 mars) se inflacioni në muajin shkurt është 7.5%.

Sipas ASK-së, rritje të çmimeve ka pasur buka dhe drithërat, qumështi, djathi, vezët, vajrat dhe yndyrat ushqimore. Rritje të çmimeve kanë shënuar edhe fruta-perimet dhe shumë produkte tjera.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas ASK-së është më i lartë prej 1.1 për qind në muajin shkurt, 2022, krahasuar me muajin janar, 2022.

Çmimet janë në trend të rritjes për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar pushtimi rus i Ukrainës.

Lufta në Ukrainë ka rritur në veçanti çmimet e energjisë, naftës dhe gazit. Çmimet e konsumit kanë shënuar rritje edhe gjatë muajit mars. Të enjten, më 10 mars, çmimi për një litër vaj nga 2.19 euro është rritur në 3.49 euro.Kjo rritje e çmimit u konsiderua rritje artificiale dhe keqpërdorim nga ana e tregtarëve.

Inspektorati i Tregut në Kosovë, më 10 mars, mbylli përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë në Fushë Kosovë dhe Graçanicë.

Kjo mbyllje ndodhi pasi Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njoftoi tregtarët se po bëjnë veprime mashtruese ndaj konsumatorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë