Treg

Inflacioni në Europë u ul sërish në qershor po BQE nuk do të ndalojë rritjen e normave

Inflacioni në Europë ra më shumë nga se pritej këtë muaj.

Nga 6.1% që ishte në maj, ai ra në 5.5% në qershor, norma e tij më e ulët që nga fillimi i vitit të shkuar.

Inflacioni gjithashtu tejkaloi edhe parashikimet e ekonomistëve që prisnin një rënie prej 5.6% sipas sondazhit të Reuters.

Por inflacioni bazë për qershorin ishte 5.4 për qind, nga 5.3 për qind në maj. Kjo është ende një pengesë për Bankën Qendrore Europiane, e cila ka thënë se do të vazhdojë të rrisë normat derisa presionet themelore të çmimeve të bien qartë drejt objektivit të saj prej 2 për qind.

Ndonëse më parë ishte diskutuar për një cikël të fundit të rritjes së normave të interesit, përpara tre ditësh, në mbledhjen vjetore të BQE-së, presidentja Christina Lagarde tha se korriku do të sjellë një rritje të nëntë radhazi në normat e interesit për të ulur inflacionin.

“Nuk ka gjasa që në të ardhmen e afërt banka qendrore të jetë në gjendje të deklarojë me besim të plotë se normat maksimale nuk do rriten më,” tha Lagarde të martën, 27 qershor.

“Përballë një procesi inflacioni më të vazhdueshëm, ne kemi nevojë për një politikë më këmbëngulëse – një politikë që jo vetëm prodhon shtrëngime të mjaftueshme sot, por gjithashtu ruan kushte kufizuese derisa të mund të jemi të sigurt se kjo fazë e dytë e procesit të inflacionit është zgjidhur”, deklaroi ajo.

Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë