Treg

Inflacioni i nëntorit në Shqipëri 3.3%, ushqimet me rritjen më të madhe

Sipas matjeve me metodën e Eurostat, inflacioni është rritur gjatë nëntorit me 3.3%, rezultat 0.2% më i lartë se matjet kombëtare.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 5.6% vërehet në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 5.0%, “Argëtim dhe kulturë” me 3.2%, “Komunikimi” me 3.1%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2.6%.

Gjithashtu në rritje kanë qenë edhe grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2.5%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1.1%, “Shëndeti” me 1.0%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0.8% secili dhe “Shërbimi arsimor” me 0.1%.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,8%.

Në muajin nëntor, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0.1%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0.8%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.3%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0.1% secili.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1.2%, pasuar nga “Transporti me 0.8%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.7%, “Hotele kafene dhe restorante” me 0.5%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0.2%, “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0.1% secili.

Pavarësisht rritjes, Shqipëria  renditet ndër vendet me ritmet më të ulta të rritjes së çmimeve në Europë.

Lituania ishte vendi me rritjen më të madhe të çmimeve me 9.2 % në nëntor dhe më pas Estonia me mbi 8.5 për qind. Ndërsa Zvicra (1.5%), Malta (2.3%), Portugalia (2.9%) dhe Shqipëria (3.3%) ishin vendet më ritmet më të ulta të rritjes së çmimeve.

Nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë