Inflacioni i Eurozonës u rrit pak, në 7% në prill, duke ndërlikuar tablonë për përcaktuesit e normave në Bankën Qendrore Europiane, kur ata të takohen ditën e enjte(4 maj) për të përcaktuar kostot e huamarrjes.
Shifra për çmimet e konsumit (6.9% muajin e kaluar), ishte më e lartë nga parashikimet e ekonomistëve.
Eurostat, agjencia e statistikave e BE-së, tha se inflacioni bazë vjetor, i cili nuk merr parasysh çmimet e energjisë dhe ushqimeve, për të dhënë një tregues më të mirë të trysnive bazë të çmimeve, ra në 5.6% në prill, nga 5.7% një muaj më parë. Zyrtarët e BQE-së kanë thënë se, nuk presin të ndalojnë rritjen e normave, derisa inflacioni bazë të bjerë ndjeshëm.
Norma e inflacionit mujor, u ngadalësua nga 0.9% në mars, në 0.7% në prill.
Nga ana tjetër, kërkesa për kredi nga bizneset e Eurozonës, ka rënë me ritmin më të shpejtë, që nga kriza financiare e vitit 2008, sipas të dhënave të BQE.
BQE tha se bankat treguan “një shtrëngim të mëtejshëm të konsiderueshëm neto të standardeve të kredisë, për kreditë për firmat dhe për blerjet e banesave” në tremujorin e parë, pasi rritja e kostove të huamarrjes dhe zbehja e besimit, ndikuan mbi aktivitetin ekonomik.
Përcaktuesit e normave, thanë se rezultatet e anketës tremujore të bankave, e cila u krye në javën e fundit të marsit dhe javën e parë të prillit, mund të jenë një kontribut vendimtar në diskutimet e tyre, se sa do të rriten normat në mbledhjen e kësaj jave.
Sjellja e bankave po vëzhgohet nga afër nga bankierët qendrorë, për shkak të trazirave të fundit në sektor, që shkaktoi falimentimin e Silicon Valley Bank në SHBA dhe e shtyu Credit Suisse, te rivali i saj UBS në mars.
Ekonomistët thonë se, trazirat do të intensifikojnë tkurrjen e kreditimit dhe do të kufizojnë kërkesën, duke reduktuar nevojën, që BQE të rrisë normat.
BQE tha se bankat e Eurozonës i kishin shtrënguar standardet e tyre të kredisë në maksimum, që nga shpërthimi i krizës së borxhit të Eurozonës në 2011.
“Shtrëngimi për kreditë për firmat dhe për blerjen e banesave, ishte më i fortë se sa kishin pritur bankat, në tremujorin e kaluar dhe tregon për një dobësim të vazhdueshëm të dinamikës së kredidhënies”.
Nxitësit kryesorë për tërheqjen e bankave nga kreditimi, ishin perceptimet më të larta të rrezikut dhe toleranca më e ulët ndaj rrezikut. Por, rritja e paprecedentë e kostove të huamarrjes nga BQE dhe ulja e likuiditetit të saj në muajt e fundit, gjithashtu rriti kostot e financimit për bankat dhe pati një ndikim shtrëngues në standardet e kredisë.
BQE ka rritur normën e saj të depozitave nga minus 0.5% verën e kaluar, në 3% në mars. Politikëbërësit kanë thënë se, një rritje tjetër ka të ngjarë të njoftohet pas takimit të së enjtes, por të dhënat do të përcaktojnë nëse ajo qëndron në një rritje 0.5%, ose ngadalësohet në 0.25%.
Tërheqja e likuiditetit nga sektori bankar, do të përshpejtohet në qershor, kur maturohet financimi shumë i lirë i BQE-së prej 480 miliardë euro, për bankat e Eurozonës dhe banka qendrore pritet të përshpejtojë ritmin e tkurrjes së portofolit të saj prej 5 trilionë eurosh.
Niveli i kërkesave për kredi të refuzuara nga bankat, u rrit në nivelin më të lartë, që nga viti 2015.
Burimi: Financial Times/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




