Inflacioni i Eurozonës ra ndjeshëm në nivelin më të ulët të tre viteve, në 2.2 % në muajin gusht, duke forcuar pritshmëritë se Banka Qendrore Europiane do të ulë normat e interesit muajin e ardhshëm
Shifra paraprake ishte në përputhje me parashikimin 2.2 % në sondazhin e Reuters dhe nën normën e muajit të kaluar prej 2.6 %.
“Mjedisi i inflacionit ngadalë po bëhet më i mirë,” tha Bert Colijn, ekonomist i Eurozonës në ING, duke iu referuar përparimit në afrimin e normës totale të inflacionit pranë objektivit 2 % të BQE.
Të dhënat nga Eurostat erdhën pasi Gjermania dhe Spanja raportuan këtë javë ulje më të mprehta se sa pritej në gusht.
Franca gjithashtu raportoi një rënie të inflacionit në 2.2 % – por kjo shifër ishte më e lartë se sa pritej, të cilën disa ekonomistë e lidhën me presionet e çmimeve për shkak të Lojërave Olimpike të Parisit.
Tregjet po parashikojnë një ulje prej çerek pikësh të normës bazë të interesit të BQE-së, në 3.5 %, në mbledhjen e 12 shtatorit, ndërsa inflacioni i afrohet objektivit prej 2 % të bankës.
BQE tashmë uli normat me një çerek pikë në qershor, ndërsa Banka e Anglisë e bëri këtë këtë muaj.
Pavarësisht rënies së çmimeve të energjisë, një rritje e inflacionit të shërbimeve në Eurozonë në 4.2 %, mund të shtojë kujdesin midis përcaktuesve të normave, duke pasur parasysh rritjen e pagave në Gjermani dhe gjetkë.
Pas publikimit të shifrave, yield-i i obligacioneve vjeçare gjermane – të cilat lëvizin anasjelltas me çmimet dhe reflektojnë pritjet e normave të interesit të Eurozonës – u ul me 0.01 pikë përqindje në 2.35 %. Euro mbeti e pandryshuar gjatë ditës në 1.1076 dollarë.
Rezerva Federale e SHBA pritet gjithashtu të ulë normën bazë për herë të parë në më shumë se katër vjet në shtator.
Kryeekonomisti i BQE, Philip Lane sinjalizoi këtë muaj për reduktime të mëtejshme të normës së interesit. Ai paralajmëroi se mbajtja e normave të interesit “shumë të larta për një kohë të gjatë do të jepte inflacion kronik nën objektivin afatmesëm”, ndërsa paralajmëroi se një kthim në objektivin prej 2 % të BQE-së nuk ishte ende i sigurt.
Isabel Schnabel, anëtare e bordit ekzekutiv të BQE-së, tregoi se ishte gjithashtu e hapur ndaj shkurtimeve, por tha se banka qendrore “duhet të vazhdojë gradualisht dhe me kujdes” në uljen e normave.
Shifra të veçanta të publikuara të premten, treguan se tregu i punës i Eurozonës mbeti i fuqishëm, me një rënie marxhinale të normës së papunësisë të rregulluar sezonalisht, në 6.4 % në korrik nga 6.5 % një muaj më parë. / FT
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.