Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë muajit korrik, inflacioni në Shqipëri, i matur sipas Eurostat, ka rezultuar 5%, pothuajse 1% më e lartë se matjet e Instat.
Sipas INSTAT ndryshimi vjetor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Korrik 2023 është 5% nga 4.2% sipas metodologjisë vendase.
Rritja më e madhe e çmimeve prej pothuajse 11% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9.2%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6.2%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4.5%.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 7.1% lidhur kjo me rritjen e fortë të naftës një vit më parë dhe stabilizimin gjatë këtij viti.
Gjithsesi, argëtimi, kultura (-1.3) dhe ushqimet (-0.5) kanë pësuar rënie nga qershori në korrik.
Inflacioni mesatar në BE ishte 6.1% në korrik, afër niveleve të Shqipërisë.
Në vendet e BE-së inflacioni është ulur me ritme shumë të shpejta se në Shqipëri. BE-ja u përball me rritje të çmimeve me ritme dyshifrore vitin e kaluar të nxituara nga çmimet e larta të energjisë, teksa në Shqipëria rritja e çmimeve që është formësuar nga ushqimet ka mbetur e qëndrueshme.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.
Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).
Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.
Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).
Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra.
IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



