Ekonomi

Inflacioni gjatë muajit dhjetor iu afrua 4%, ndikuar nga ushqimet dhe pijet

Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që përcakton inflacionin, në muajin Dhjetor 2021 u rrit me 3.7% në raport vjetor duke tejkaluar objektivin e vendosur nga autoriteti monitorues si Banka e Shqipërisë, prej 3%.

Nga muaji paraardhës, ky ndryshim është 0.8%.

Rritja e madhe e inflacionit në vetëm një muaj, sipas Instat, është ndikuar më së shumti nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me 2.2% rritje dhe transporti me 0.5% rritje.

Për të gjithë vitin, rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2021 është 2% nga 1.6% që ishte në vitin 2020.

Sipas analizave të bëra më herët nga burimet e Gazetasi.al, dhjetori bashkë me festat do të sillte dhe rritje të madhe të çmimeve nga inflacioni brenda vendit dhe tendenca për shpenzime, por do të vinte edhe inflacioni i importuar nga vendet europiane dhe mallrat e tyre.

Gjatë muajit dhjetor, konsumi dhe çmimet rriten njëherësh për një periudhë të shkurtër dhe të shpejtë. Shërbimet dhe produktet elementare pësuan rritje deri në 50% në prag të festave.

Për të gjithë vitin 2021, inflacioni në Shqipëri pati luhatje, por u cilësua i shëndetshëm nga Banka. Në korrik, paralelisht me vendet europiane dhe në Shqipëri nisi kalimi i objektivit të inflacionit të vendosur nga BSH. Në atë kohë, Guvernatori, Gent Sejko tha se rritjet e çmimeve janë të përkohëshme dhe se nuk do të zgjasin, por në fakt ato priten të vazhdojnë njësoj dhe në vitin 2022.

Përfaqësuesit nga Banka, treguan për Gazetasi.al se një ndër objektivat kryesore për 2022-shin është menaxhimi i inflacionit nën objektiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë