Nga Gazeta Si- Infeksionet e rënda nga Listeria po shënojnë rritje në të gjithë Europën, sipas raportit të fundit “One Health” të EFSA-s (Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore) dhe ECDC-së (Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve). Në raport shkruhet se në vitin 2024 pati më shumë se 6,500 shpërthime të shkaktuara nga ushqimi, një rritje prej 14.5 për qind krahasuar me një vit më parë.
Listeria është një lloj bakteri që lulëzon në mjedise të lagështa dhe të freskëta dhe mund të jetë e vështirë për t’u larguar edhe me dezinfektim. Infeksionet, që merren përmes ushqimit, janë të rralla, por mund të jenë vdekjeprurëse.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet në mënyrën e ushqyerjes dhe rritja e numrit të të moshuarve po i ekspozojnë më shumë qytetarët ndaj këtij patogjeni të rrezikshëm.
Viti 2024 rezultoi i veçantë për numrin e lartë të komplikacioneve: Në vitin 2024 pati më shumë se 3 mijë infeksione të konfirmuara me Listeria, infeksioni ushqimor me përqindjen më të madhe të shtrimeve në spital dhe vdekshmërisë në BE. Rreth 70% e njerëzve të prekur përfunduan në spital, ndërsa një në 12 nuk ia doli të mbijetonte. Produktet e gatshme për konsum, veçanërisht sallamrat e fermentuara mbeten ndër burimet më të zakonshme të kontaminimit, ndonëse nivelët e rrezikut në treg përgjithësisht konsiderohen të ulëta.
Përveç Listerias, raporti thekson se Campylobacter dhe Salmonella vazhdojnë të jenë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve nga ushqimi në popullatë.
Ndërkohë, situata në sektorin e shpendëve mbetet shqetësuese pasi në dekadën e fundit është rritur numri i tufave të pulave dhe gjelave të detit që rezultojnë pozitivë për Salmonellën, ndërsa vetëm 14 shtete anëtare kanë arritur objektivat e BE-së për reduktimin e saj.
Sipas ekspertëve, kontrolli i baktereve në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor kërkon koordinim të vazhdueshëm.
Megjithatë, shumica e sëmundjeve ushqimore mund të shmangen me masa të thjeshta higjiene në shtëpi: mbajtjen e frigoriferit nën 5°C, gatimin e mirë të mishit, ndarjen e ushqimit të gatuar nga ai i pagatuar dhe konsumimin e produkteve para datës së skadencës. Grupi më i rrezikuar, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobët këshillohen të shmangin ushqimet me rrezik të lartë, si qumështi i papasterizuar dhe djathrat e butë të prodhuar prej tij.
“Edhe pse kontaminimi është i rrallë, Listeria mund të shkaktojë sëmundje të rënda, gjë që e bën atë një nga kërcënimet më serioze që vijnë nga ushqimi që monitorojmë”, tha Ole Heuer, i cili drejton punën e ECDC-së që lidh shëndetin e njeriut, kafshëve dhe mjedisit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




