Industria nxjerrëse dhe përpunuese e cila u godit më shumë prej pandemisë COVID-19, kur për shkak të karantinës së pranverës kërkesa për karburant ra në mënyrë drastike, ka shfaqur shenja përmirësimi në krahasim me tremujorin e dytë të vitit ku ishte në nivelet e 2016-ës. Por kjo industri mbetet ende larg niveleve parapandemike të 2019-ës.
Të dhënat më të fundit të INSTAT për treguesit tremujorë mbi prodhuesit e të mirave tregojnë se sektori ekonomik i industrisë në tremujorin e tretë 2020 ka patur rënie me 3,5 % në indeksin e shitjeve neto në volum, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu ka shfaqur rënie edhe indeksi i prodhimit 1,8 %, numri i të punësuarve shënoi rënie 10,8 % dhe fondi i pagave rënie 8,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti, industria nxjerrëse dhe përpunuese ka patur rritje 20,6% përsa I përket Indeksit të shitjeve neto në volum. Ajo ka patur rritje në këtë tremujor krahasuar me tremujorin e dytë edhe në prodhim 22,7%.
Në terma vjetorë edhe në sektorin e energjisë elektrike indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 4,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, por ka patur rritje në prodhim 2,3 %.
Në këtë sektor indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie 0,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, kurse indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 12,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në terma tremujorë, sektori ka shfaqur sinjale përmirësimi; në shitje diferenca mes dy tremujorëve të vitit 2020 është 16, 6 % në shitje dhe në prodhim 31,2%.
Sektori i Furnizimit me ujë, Trajtimi dhe menaxhimi i mbetjeve ka shfaqur përmirësim në tremujorin e tretë të vitit krahasuar me një vit më parë. Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 3,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë; Indeksi i prodhimit në volum shënoi rritje 0,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë; Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 6,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë; Indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 10,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në terma tremujorë ky sektor pësoi rritje në shitje 32% dhe në prodhim 33,9%.
Sektori i ndërtimit ka rritje gjatë tremujroit të tretë të vitit 2020 krahasuar me nivelet parapandemike.
Indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rritje 16,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë; Indeksi i prodhimit në volum shënoi rritje 14,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë; Indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 3,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë; Indeksi i fondit të pagave shënoi rritje 2,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe krahasuar me tremujorin e vështirë të mëparshëm, ndërtimi ka rritje në shitje 15,1% dhe në prodhim 17,6%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.