Treg

Industria e qumështit me rënie 7.4% në 2021-shin

Industria e përpunimit të qumështit ka shënuar rënie përgjatë vitit, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT.

Në fakt të njëjtën gjë e kanë konfirmuar edhe herë pas here operatorët të cilët kanë deklaruar që industria shqiptare e qumështit është në prag falimentimi.

Në vitin 2021, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 115 mijë tonë.

Sipas llojit, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës është rreth 94 mijë tonë, sasia e grumbulluar e qumështit të deles është 13 mijë tonë dhe sasia e grumbulluar e qumështit të dhisë është rreth 8 mijë tonë.

Krahasuar me vitin 2020, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7.4%, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje përkatësisht me 26.3% dhe 8.0%.

Sipas INSTAT, nga sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar, rreth 14 mijë tonë është përdorur për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor, pjesa tjetër shkon për përpunim. Struktura e qumështit të prodhuar për konsum paraqitet si më poshtë: qumështi i plotë i përpunuar 86.7%, qumështi gjysëm i skremuar 9.1%, qumështi i papërpunuar 3.5% dhe qumështi i skremuar 0.7%.

Nënproduktet e qumështit 

Sasia e prodhuar e djathit sipas llojit të qumështit pësoi rritje me 12.0% dhe sasia e prodhuar e gjalpit pësoi rënie me 3.4%, krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, rënie me 6.1% shënoi sasia e prodhuar e djathit të përpunuar (djathë i shkrirë), krahasuar me një vit më parë.

Struktura e djathit të prodhuar sipas origjinës paraqitet: djathë nga qumështi i lopës 72.4%, djathë nga qumështi i deles 19.5% dhe djathë nga qumështi i dhisë 8.1%, ndërsa struktura e tij sipas fortësisë është: djathë i butë 53.9%, djathë gjysëm i fortë 22.9%, të tjera prodhime të freskëta 14.9% dhe djathë i fortë 8.3%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë