Treg

Individët dhe bizneset shqiptare, kërkesë të lartë për kredi. Bankat lehtësojnë kushtet

Nga Gazeta ‘SI’ – Në tremujorin e parë të vitit 2025, bankat lehtësuan standardet e kreditimit  për bizneset dhe individët si pasojë e një mjedisi konkurrues dhe me më pak rrezik.

Anketa e Bankës së Shqipërisë raporton një kërkesë të lartë për kredi konsumatore dhe për blerje banese, nxitur nga zhvillimet në tregun imobiliar. Shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua në rënie në tremujorin e parë të vitit 2025. Rritja e shkallës së refuzimeve u shkaktua nga politikat e bankave lidhur me kolateralin e kërkuar.

Në tremujorin e dytë të vitit 2025, bankat presin të ndjekin politika më të lehtësuara kreditimi në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, në kreditë lëvruar me qëllim financimin e investimeve dhe ato për mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet. Politikat e kreditimit priten të jenë lehtësuese edhe në segmentin e kredive për blerjen e banesave. Kërkesa për kredi pritet të mbetet e lartë si nga bizneset, ashtu edhe nga individët, në çdo lloj qëllimi të përdorimit të kredisë.

Edhe për bizneset kërkesa për financim rezultoi e lartë me qëllim investimi dhe nevojën për likuiditet, por pati një rënie të kredive të miratuara. Faktorët që ndikuan në rritjen e shkallës së refuzimeve për kredi të bizneseve ishin historiku nga regjistri i kredisë, të ardhurat e disponueshme dhe pasqyrat financiare të bizneseve.

Në tremujorin e dytë të vitit 2025, standardet e kreditimit priten të lehtësohen në kreditë për biznesin e vogël e të mesëm, në kreditë për financimin e investimeve, si dhe në kreditë për mbulimin e nevojave për likuiditet. Nga ana tjetër, standardet e kreditimit priten të mbeten të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë