Nga Gazeta ‘Si’- Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit kanë shpërthyer sërish pas një serie sulmesh me raketa të kryera nga ushtria indiane ndaj territorit pakistanez. Sipas ushtrisë së Pakistanit, janë goditur tre qytete: Kotli, Bahawalpur dhe Muzaffarabad
India tha se “Operacioni Sindoor” i saj goditi “infrastrukturën terroriste” si në Pakistan ashtu edhe në Kashmirin e administruar nga Pakistani , një përshkallëzim i madh që i shtyu fqinjët rivalë në prag të një lufte të plotë. Pakistani tha se sulmi vrau të paktën tetë persona, përfshirë edhe fëmijë.
Pakistani tha se rrëzoi pesë avionë luftarakë të Forcave Ajrore Indiane dhe një dron. India nuk i ka konfirmuar humbjet e avionëve luftarakë. Burime pakistaneze të sigurisë thanë se tre nga pesë avionët e rrëzuar ishin avionë luftarakë Rafale – asete të çmuara të Forcave Ajrore Indiane të blera nga një prodhues francez.

Përshkallëzimi i së mërkurës(7 maj) vjen pasi persona të armatosur masakruan 26 civilë, kryesisht turistë, në Kashmirin e kontrolluar nga India muajin e kaluar. India akuzoi Pakistanin për përfshirje, gjë që Islamabadi e mohoi.
Autoritetet në Kashmirin e administruar nga India kanë urdhëruar evakuimin e qytetarëve nga zonat që i konsiderojnë të rrezikshme, ndërsa konflikti midis Nju Delhit dhe Islamabadit përshkallëzohet.
Zëvendësguvernatori i Jammu dhe Kashmirit, Manoj Sinha, u ka dhënë udhëzime distrikteve që të zhvendosin fshatarët nga “zonat e cenueshme në vende më të sigurta”. Akomodimi, ushqimi dhe ilaçet do të sigurohen për qytetarët e evakuuar, tha zyra e Zëvendësguvernatorit në X.

India, e cila ka shumicë hindu dhe Pakistani, i cili është kryesisht mysliman, kontrollojnë secila pjesë të Kashmirit, por e pretendojnë atë të plotë dhe kanë zhvilluar tre luftëra për këtë territor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.