Shqipëria ka fituar vetëm 1 pozicion në Indeksin e Start Up-eve nga viti i shkuar, duke u renditur në vendin e 74-t për 2023-shin.
Sipas raportit, Shqipëria përmirësoi renditjen e saj me 1 pozicion, duke përfituar nga rënia e Bjellorusisë. Në mënyrë të ngjashme, Shqipëria u përmirësua me 1 vend duke u renditur e 19-ta në Europën Lindore dhe vazhdon të ruajë pozicionin si e 9-ta në renditje mes vendeve të Ballkanit.
Ekosistemi i vetëm shqiptar i renditur në këtë indeks, Tirana, fitoi vetëm 2 vende në Indeks dhe pozicionohet e 459-ta në nivel global. Tirana ruajti pozicionin e saj si ekosistemi i 35-të në Europën Lindore dhe e 12-ta në Ballkan. Sipas raportit, edhe pse tendencat e këtij viti janë pozitive, Shqipëria ka potencial për të performuar më mirë se kaq.
Serbia dhe Maqedonia e Veriut qëndrojnë para nesh në renditje në vend të 51-të dhe 70-të, ndërkohë që kemi lënë pas Bosnje Hercegovinën e pozicionuar në vend të fundit, pra në vend të 100-të, për vitin 2023. Kosova për këtë edicion ka dalë nga renditja, ndërkohë një vit më parë ishte e vendosur në vend të 96-të. Në vend të parë në rang global në këtë indeks renditen vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli, Kanadaja, Suedia dhe Singapori.
Në raport thuhet se ekosistemi i bizneseve në Shqipëri është ende në fazat e hershme, megjithatë ka përpjekjet e sektorit publik dhe privat për të nxitur zhvillimin e Start Up-eve dhe sipërmarrjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.