Ekonomi

Indeksi i Zhvillimit Human/ Shqipëria humb një pozicion. Profili më i keq i Ballkanit

Nga Gazeta ‘SI’- Shqipëria ka rënë me një vend në Indeksin e Zhvillimit Human, matur nga Kombet e Bashkuara që tregon progresin e shteteve në të ardhura, arsim dhe jetëgjatësi.

Në raportin e 2025-s që i referohet vitit 2023, Shqipëria qëndron në vendin e 71 nga vendi i 70 që ishte në 2022-shin.

Pritshmëria për jetëgjatësi në Shqipëri është 79.6 vite. Një foshnje shqiptare kur lind pritet të nisë një cikël arsimor që zgjat 14.5 vite dhe të ardhurat vjetore për frymë raportohen në 17.627 dollarë.

Ky është profili më i keq në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria qëndron e fundit.

Vendin e parë e mban Islanda me një jetëgjatësi të pritshme prej 82.7 vitesh, 18.9 vite shkollim dhe të ardhura vjetore për frymë 69.117 dollarë.

Fundi i Indeksit dominohet nga vendet afrikane me Sudanin e Jugut që ka një jetëgjatësi prej 57 vitesh, 5.6 vite arsim dhe 600 dollarë të ardhura për frymë.

OKB thekson se në të gjithë botën është konkluduar një ngadalësim i Indeksit Human, me rritjen më të vogël që prej 1990s.

Raporti fajëson tensionet në tregtinë globale, krizat e borxhit dhe problemet në tregun e punës, dhe paralajmëron se nëse ngadalësimi vijon, deri në vitin 2030, ecuria do të jetë negative.

Kombet e Bashkuara bëjnë thirrje për implementim më të gjerë të Inteligjencës Artificiale në qeveri dhe biznese, si një formë rritje dhe zhvillimi për shoqërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë