Treg

Indeksi i Performancës Logjistike / Shqipëria probleme me menaxhimin dhe cilësinë. E fundit në rajon

Nga Gazeta ‘Si’-Nga 139 vende të botës, Shqipëria renditet në vendin e 97-të në Indeksin e Performancës Logjistike të Bankës Botërore.

Raporti “Logjistika Tregtare në Ekonominë Globale, 2023.” i cili paraqet pikëpamjen më të fundit mbi tregtinë dhe performancën logjistike në disa vende të botës, e bën vlerësimin e performancës përmes pikëzimit nga 1 deri në 5, ku 1 do të thotë performancë e dobët dhe 5 performancë e lartë.

Shqipëria në këtë raport vlerësohet me 2.5 pikë, pra pozicionohet mes vendeve me një performancë modeste.

Indeksi i Performancës Logjistike nga Banka Botërore analizon vendet përmes gjashtë komponentëve të cilët lidhen me efikasitetin e menaxhimit të doganave, cilësia e infrastrukturës tregtare dhe transportit, çmimet konkuruese dhe dërgesat, kompetenca dhe cilësia e shërbimeve logjistike, aftësia për të gjurmuar dërgesat dhe frekuenca me të cilën dërgesat arrijnë te marrësit brenda kohës së planifikuar të dorëzimit.

Për efikasitetin e manexhimit të doganave Shqipëria vlerësohet me 2.4 pikë nga pesë pikë në total, ndërsa për cilësinë e infrastrukturës vlerësohemi me 2.7 pikë.

Sa i përket çmimeve konkuruese dhe dërgesave vlerësohemi me 2.8 pikë. Ky është edhe komponenti ku Shqipëria regjistron vlerësimin më pozitiv. Nga ana tjetër, për cilësinë e shërbimeve logjistike vlerësohemi me 2.3 pikë, për aftësinë e gjurmimit të dërgesave vlerësohemi me 2.5 pikë.

Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria renditet në fund.

Në vend të parë në rajon renditet Maqedonia e Veriut e pozicionuar në raport në vend të 57-të. Ajo ndiqet nga Bosnje Hercegovina në vend të 61.

Mali i Zi dhe Serbia pozicionohen në vend të 73 secila pasi vlerësohen me 2.8 pikë.

Ndërkohë, në vend të parë në këtë raport renditet Singapori i vlerësuar me 4.3 pikë, pasuar nga dy vende të Europës si Finlanda dhe Danimarka në vend të dytë dhe të tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë