Irena Beqiraj
‘Indeksi’ i mediave sociale të ndaluara
Para se të shpikej shtypshkronja, librat ishin të papërballueshëm. Prodhimi i tyre bëhej i mundur vetëm prej subvencionimeve të Kishës Katolike, e cila ruante kështu monopolin mbi dijen. Shtypshkronja jo vetëm i bëri librat e përballueshëm për klasën e tregtarëve në mesjetë, por mundësoi që bibla të botohej në gjuhë të tjera përveç latinishtes.
Por shtypshkronja nuk ndryshoi vetëm gjuhën e librave, ajo po ashtu transformoi edhe stilin dhe tendencën e debatit. Debatet skolastike të mesjetës te cilat ishin te ashpra por të edukuara u zëvendësuan nga debate teologjike të mbushura me zhargon dhe që padyshim ishin më teatrale. Reagimi i institucionit katolik ndaj kësaj epoke të re ishte i shumanshëm, por vlen të përmendet krijimi i Indeksit të Librave të Ndaluar; Brenda këtij indeksi u përfshijnë shumë nga veprat e rëndësishme të kulturës perëndimore, nga Niccolò Machiavelli dhe René Descartes te Galileo Galilei dhe Immanuel Kant.
Thonë që kur historia harrohet, ajo përsëritet. Në 15 vitet e fundit një ndryshim i madh u shfaq ngadalë: shoqëria politika, ekonomia, por mbi të gjitha mendja njerëzore po riformëzohet nën pushtetin transformues të mediave sociale.
Edhe pse mediat sociale kanë revolucionarizuar mënyrën sesi ne ndërveprojmë me njeri-tjetrin, për të menaxhuar efektet negative të saj po kthehemi tek "indeksi", por kësaj here i mediave sociale të ndaluara!
Të mbyllim Tik-Tok-un, edhe të lejojmë Instagram-in? Të mbyllim Instagramin edhe të lejojmë Facebook-un? Të mbyllim Facebook-un edhe të lejojmë vetëm kanalet televizive, ku dhuna verbale e fizike, ekzibicionizmi seksual, vulgariteti ekstrem i të folurit, dhe humoristët që rrallë ngrihen mbi humorin e rrugës, janë bërë të zakonshme? Apo të mbyllim televizionet por të lejojmë podcastin e Kryeministrit ku intervistohen shumë nga krijuesit e kësaj oferte irracionale masive?
Nëse teknologjia është ndihmë ose jo për qytetarët e zakonshëm, nuk varet vetëm nga natyra e teknologjisë, por nga mënyra sesi përdoret kjo teknologji në shoqëri. Nëse pesëmbëdhjetë vitet e fundit nuk keni jetuar nën një shkëmb, e keni kuptuar se sistemet e të gjitha mediave sociale shpërblejnë, si financiarisht edhe psikologjikisht, vetëm veprimet që tërheqin vëmendjen e përdoruesve të tjerë.
Ekonomia e vëmendjes ose "grushti i shtetit" i marketingut të shekullit 21, është në kërkim të vazhdueshëm të videos apo imazhit viral të radhës. Njerëzit qajnë, qeshin, dashurojnë, tradhtojnë, martohen, mbetet shtatzënë, ndahen, urrehen, shahen, pse jo edhe vriten për pak më shumë vëmendje.
Edhe pse komodifikimi dhe normalizimi i dhunës, injorancës edhe vulgaritetit është algoritmi bazë i promovimit në media sociale, për fatin tonë të keq ky trend nuk filloi edhe nuk është i kufizuar vetëm tek ato.
Për shembull, televizioni në ‘prime time’ shfaq dhunë çdo natë. Psikopatët dhe vrasësit serialë shpesh portretizohen si protagonistë. Ndërsa gratë janë shpesh objektivi i kësaj dhunë të sëmurë.
Formatet televizive që kanë pushtuar ekranet tona janë te mbushura me përtacë funksional që kërkojnë të pasurohet nëpërmjet vëmendjes ndërsa inkurajojnë cektësinë dhe materializmin.
Për të gjithë këtë ofertë kaq racionalisht irrituese, ka një kërkesë te madhe emocionalisht të pranueshme. Natyra njerëzore magjepset nga shkeljet e normalitetit pasi ato janë hipnotike për t’u parë e ndjekur.
E pra, media në tërësi është lejuar të lulëzojë si një treg që mund të plotësojë nevojat më të dobëta e më të errëta të natyrës njerëzore, që shpërblen vulgaritetin, mashtrimin dhe injorancën, duke i siguruar krijuesve të kësaj oferte shumë para e famë, madje në vende si Shqipëria edhe një intervistë në podcastin e Kryeministrit.
Teknologjia na ka pajisur të gjithëve me mundësinë për t'u shprehur, për të treguar kush jemi dhe çfarë vlerësojmë. Me anë të saj ne kemi mundur të zgjerojmë komunitetin të cilit përkasin. Nëse shtypshkronja theu monopolin e kishës "mbi dijen", mediat sociale thyen oligopolin komod të shtypit edhe transmetimit mbi informacionin. Sot, për shkak të teknologjisë, ne mund të aksesojmë podcaste e blogje interesante nga të cilat gjithë shoqëria mund të mësojë shumë.
E pra, problemi nuk janë mediat sociale, por moskuptimi masiv dhe keqpërdorimi i hershëm i marrëdhënies reciproke midis mbrojtjes së shoqërisë nga mediat dhe fuqizimit të saj po prej tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.