Biznes

Indeksi i Dhomës Amerikane: Mungesa e stafit, konkurrenca e shtrembëruar, shqetësimet kryesore të bizneseve në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Mungesa e fuqisë punëtore është shqetësimi kryesor i bizneseve në Shqipëri, konkludon Indeksi i Biznesit të Dhomës Amerikanë të Tregtisë 2023, AmCham.

Shqetësim për bizneset është edhe konkurrenca e padrejtë në treg, monopolizimi, informaliteti i lartë, barra fiskale dhe burokracia e qeverisë.

Nga viti 2022, klima e biznesit sipas AmCham ka pasur një përmirësim, por mbetet ende poshtë 50 pikëve.

Gjatë prezantimit të gjetjeve, fjalën e mori ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacioni, Blendi Gonxhe.

“Shkëmbimet me SHBA kanë rritur nivelin më te lartë te arritur ndonjëherë, duke i kaluar 100 milionë dollarë, me një bilanc në favorin tonë. Këto konfirmojnë momentin e mire të ekonomisë shqiptare me rritjen më të lartë në rajon. Shqipëria është bërë një vend që po tërheq investitorët e huaj. Por jo çdo gjë që shkëlqen është ar. Jemi në dijeni për shqetësimet e bizneseve. Ndonëse indeksi tregoi përparime, problemet si mungesa e fuqisë punëtore infrastruktura jo optimale, korrupsioni, burokracitë, janë në krye të axhendës sonë te punës”, deklaroi ministri Gonxhe.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se shqetësimet e biznesit në 10 vitet e fundit kanë mbetur të njëjta që do të thotë që diçka nuk shkon.

“Koncepti nën 50 nënkupton që është një element shtypës që nuk e lejon ekonominë të zhvillohet. Tre problemet kryesore të Shqipërisë kanë qenë pronat, gjyqësori, korrupsioni”, Arben Malaj, ekspert i ekonomisë, ish-ministër i Financave.

“Furnizimi me energji” dhe “Rendi dhe siguria në vend” rezultuan të jenë elementët me perceptimin më të mirë për kompanitë e anketuara gjatë vitit 2023. “Furnizimi me Energji” arriti pikën më të lartë prej 72.05. Treguesi “Rendi dhe Siguria” arriti në 64,44, duke u përmirësuar dukshëm me +7,85 pikë.

Një perceptim i ngjashëm pozitiv është raportuar edhe në vitin 2023 për marrëdhëniet me administratën publike, ku treguesi më pozitiv është ende raporti me Autoritetet Doganore, me 64.4 pikë, me një përmirësim prej 1.51 pikë.

Marrëdhëniet me Autoritetet doganore janë elementi i katërt më pozitiv, pas Energjisë e Sigurisë. Marrëdhëniet me autoritetet e taksave janë përkeqësuar lehtë me -0.31 pikë, por sërish mbeten në një nivel të lartë prej 60.85 pikësh, duke u renditur menjëherë pas Doganave.

Perceptimi i të anketuarve për “Ecurinë e ekonomisë shqiptare” në vitin 2023 është përmirësuar ndjeshëm (+13,99 pikë), shoqëruar me një përmirësim të “Kërkesës për mallra dhe shërbime” (+3,90 pikë), “punësim” (+5,01 pikë) dhe “Investimet” (+5,15 pikë). Treguesi për “Kërkesa për mallra dhe shërbime në eksporte” ra me -3.29 pikë për të njëjtën periudhë.

Për vitin 2024, anëtarët e Dhomës parashikojnë një tendencë pozitive për ecurinë e ekonomisë shqiptare, investimet dhe klimën e biznesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë