Klima e biznesit në Shqipëri shënoi një përmirësim krahasuar me një vit më parë, sipas Indeksit vjetor të Biznesit për vitin 2021-22, të Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Në vëzhgimin e saj ku marrin pjesë 230 anëtarë, Dhoma Amerikane njoftoi se kjo klimë është përmirësuar +3.77, lidhur kjo më së shumti me hapjen dhe rimëkëmbjen pas pandemisë COVID 19, kur bizneset u ndërprenë për një periudhë të gjatë.
Por të anketuarit theksojnë se klima e biznesit është një çështje sfiduese për ta, sepse shumica e problemeve të ngutshme janë të vjetra dhe të parregulluara ndër vite.
Autorët e Indeksit theksuan se nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit, monopoleve dhe konkurrencës së pandershme.
Ata pohojnë se shqetësimet e tyre kryesore e të përhershme, dhe që janë përkeqësuar këtë vit, janë mungesa e punonjësve të kualifikuar, monopolet dhe konkurrenca e pandershme, ekonomia informale, burokracia qeveritare dhe niveli i korrupsionit.
Indeksi thekson se emigrimi i lartë po dobëson fuqinë punëtore, dhe është kthyer në shqetësimin më kryesor të bizneseve aktualisht.
Pjesa dërrmuese e kompanive pohuan se ecuria e tyre po dëmtohet ngaqë e kanë përherë e më shumë të vështirë të gjejnë punonjës të kualifikuar, tregues ky i përkeqësuar me -9 pikë, në krahasim me një vit më parë.
Indeksi regjistron tregues të përkeqësuar më tej edhe sa u përket problemeve të vjetra të klimës së biznesit si monopolet dhe konkurrenca e padrejtë” (-2.95 pikë), korrupsioni (-0.79 pikë), burokracia qeveritare” (-1.64 pikë) dhe zbatimi i ligjeve (-1.32 pikë).
Të anketuarit pohuan se praktikat e drejta, të barabarta dhe transparente janë ende larg nga shpresat e kompanive dhe investitorëve.
Perceptimi i një pjese të madhe të anketuarve është negativ edhe sa u takon politikave dhe shërbimeve bankare, si dhe mbi sigurinë e financimit për zhvillimin e biznesit.
Vlerësimi për marrëdhëniet e biznesit me autoritetet e taskave u përkeqësua (-2.52 pikë), po ashtu si edhe për ministritë (-1.57 pikë).
Indeksi theksoi nevojën urgjente për të luftuar korrupsionin, monopolet, pabarazinë dhe konkurrencën e pandershme dhe ekonominë informale në partneritet midis autoriteteve publike dhe sektorit privat, duke vendosur zgjidhje afatgjata për një klimë të re dhe të qëndrueshme biznesi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.