Nga Gazeta ‘SI’ – Indeksi Fischer, vrojtimi i Bankës së Shqipërisë për tregun imobiliar, raporton një rritje me 11.6% të këtij tregu, gjatë gjashtëmujorit të parë 2023, krahasuar më atë 2022.
Agjentët imobiliar raportojnë se gjatë 2023-shit janë rritur shitjet me çmimin që ofron shitësi duke treguar kështu se kërkesa mbetet e lartë. Operatorët e tregut imobiliar presin rritje tjetër të volumit të shitjeve në këtë fushë.

Numri i agjentëve që kanë realizuar shitje vlerësohet në 49% nga 46% që ishte më herët. Prona total të shitura raportohen 1150 nga 933 gjashtëmujorin e shkuar dhe numri mesatar i pronave të shitura për subjekt u rrit në 6.7, nga 5 periudhën e kaluar.
Rreth 40% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej agjentëve janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 85% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës. Rreth 14% të banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, 1/3 rezultojnë shtetas të vendeve jashtë BE-së.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi raportohet lehtësisht në rritje, në mesatarisht 10.6 muaj. Zonat bregdetare kanë raportuar kohëzgjatje më të lartë të procesit
Indeksi i Çmimit për shitjet në kryeqytet regjistroi gjithashtu një rritje prej 13.3% ndaj periudhës paraardhëse, në nivele të ngjashme me një vit më parë.
Çmimet mesatare janë raportuar të rritura sidomos në zonat qendrore të kryeqytetit. Çmimet e shitjeve janë raportuar në rënie të lehta në periferi dhe zonat jashtë kryeqytetit, ndërkohë që ishin të pandryshuara në qytetet bregdetare. Në zonat e tjera, çmimet janë shfaqur të rritura me 11%.
Agjentët raportojnë rritje të kërkesës për qiramarrje, si për banesa, ashtu edhe për prona tregtare, dhe çmimet e qirasë kanë shënuar rritje. Aktiviteti i dhënies dhe marrjes së pronave me qira është i përqëndruar në rajonin e kryeqytetit dhe veçanërisht në zonën e qendrës.
Për gjashtëmujorin e ardhshëm, agjentët presin rritje të çmimeve dhe numër të pandryshuar të pronave të regjistruara për shitje.
Banka e Shqipërisë një ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për bankat tregtare, ku i kërkohet verifikim, detajim dhe monitorim i të dhënave të huave për pasuritë e paluajtshme. Sipas drejtorit të departamentit të Stabilitetit Financiar në BSH, Klodion Shehu, ky ishte një vendim i nevojshëm lidhur me dinamikat në tregun e pasurive të paluajtshme. Ai tha se Banka nuk e shikon si një treg me ‘rrezik’, por si një treg që duhet monitoruar për shkak të zhvillimit dhe rritjes së shpejtë të çmimeve.
Nga raporti gjashtë mujor i BSH-së rezulton se kredia e individëve dominohet nga kredia për blerje të pronave të patundshme. Rreth 40 mijë kredi janë dhënë vetëm për këtë qëllim. Rritja e saj ka qenë më e shpejtë se sa kredia konsumatore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




