Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria mban vendin e 66-të nga 119 shtete, në Indeksin Global të Turizmit për vitin 2024, duke u vlerësuar me 3.87 pikë nga Forumi Global Ekonomik, ku 7 është pikëzimi maksimal.
Sipas Indeksit Shqipëria është ngjitur me 12 vende nga rankimi i 2019-s, duke e bërë atë një ndër vendet me përmirësimin më të shpejtë të industrisë së turizmit në të gjithë botën.
Forumi e raporton Indeksin duke matur pesë indikatorë, mjedisi (nga natyra, burimet njerëzore tek klima e biznesit), politikat dhe konkurrueshmëria e çmimeve, shërbimet dhe infrastruktura, burimet si dhe qëndrueshmëria.
Në tërësi, pjesa më e madhe e treguesve të Shqipërisë performojnë mirë dhe shënohen me ngjyrë jeshile (pozitive) ose të verdhë të lehtë (brenda normës). Treguesit e kuq të Shqipërisë janë ato të kategorisë së burimeve, lidhur me resurset natyrore, kulturore dhe ato moderne.
Në nivel rajoni, Shqipëria ka lënë pas Serbinë, e cila renditet në vend të 68-të, Maqedoninë e Veriut në vend të 87-të dhe Bosnje Hercegovinën në vend të 90-të. Në vend të parë nga Ballkani Perëndimor është Mali i Zi në vend të 60.
Në vend të parë të Indeksit renditet SHBA-ja, ndjekur nga Spanja, Japonia dhe Franca. Forumi Botëror Ekonomik thekson se Europa është rajoni më premtues për industrinë e turizmit ku gërshetohen faktorët natyrorë, socialë dhe ekonomikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.