Gazeta Si - SPAK kërkon në Apelin e Posaçëm të GJKKO-së, ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ndaj ish-deputetit socialist, Alqi Bllako për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Po ashtu, ndryshim është kërkuar edhe për vendimin ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Në seancën që u zhvillua në Apel pas dështimit disa mujor, prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, në përfitim të gjykimit të shkurtuar 2.8 vite burg.
Ndërsa për Kokën, kërkuan t’i shtohet edhe akuza për “shpërdorim detyre”. Ish-ministri është dënuar në Shkallën e Parë Antikorrupsion me 5 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar.
Edhe për inceneratorin e Fierit, ende nuk ka zhvillime në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, duke bërë që vendimi të mos marrë formë të prerë.
Pas debateve në sallë dhe dëgjimit të të dyja palëve, seanca shtyhet për të shpallur vendimin më 8 Nëntor, ora 14:00.
Reagimi i Lefter Kokës
Ndërkohë, sipas burimeve nga seanca gjyqësore, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka ka mohuar akuzat, duke u shprehur se nuk është ai “peshku i madh”. “S’jam unë peshku i madh, nuk dënoni korrupsionin me mua”, mësohet të ketë thënë Lefter Koka.
Ai iu rikthye edhe një herë përplasjes me çiftin Meta-Kryemadhi, të cilët kallëzuan në SPAK së bashku me opozitën, aferën e inceneratorëve.
“E keni gabim, e dëgjova prokurorin sot dhe ky është fiks kallëzimi i Monika Kryemadhit. Ata janë manipulatorë, si Monika si Iliri, ai manipuloi situatën për të hequr në departament edhe një ambasador, sepse besuan Ilirin, - akuzoi në seancë Leftë Koka. - Doni të gjeni korrupsionin, hapni telefonin e Monika Kryemadhit”.
Koka ka thënë në sallën e gjyqit se është i pafajshëm. Ai ka kërkuar llogari edhe për ndarjen e çështjeve të inceneratorit, duke pretenduar se qëllimi i togave të zeza është që ai të dënohet sa më shumë.
“Jam i pafajshëm, e di i gjithë Durrësi që unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të më paguajë biletat e udhëtimit Mirel Mërtiri. Nuk më dënoni dot për korrupsion. Avokatët e tij thanë që biletat e rezervuara janë 3 vjet më vonë sesa lidhja e kontratës. Prokurorët pse nuk marrin si referencë kontratat e tjera për landfille, si ai i Vlorës dhe Lezhës që janë më të shtrenjta?".
Koka më pas iu drejtua gjykatës, duke i kërkuar më shumë besueshmëri. "Megjithëse ka kaluar një vit, konkluzionet e prokurorëve janë të njëjta. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë nën presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur. Pse e ndatë dosjen apo që të më denoni sa më shumë mua?!”, mësohet të ketë thënë ish-ministri para togave të zeza.
Inceneratorët
Sa i takon të akuzuarvë në proces, Alqi Bllako vijon të qëndrojë në qeli për shkak të dënimit të tij për inceneratorin e Fierit me 2.8 vite burg.
Gjithashtu ndaj tij vijon të jetë në fuqi një tjetër masë sigurie “arresti në burg” për inceneratorin e Tiranës. Në tetor të 2023, GJKKO dënoi në total me 33 vite burg të pandehurit për aferën e inceneratorit të Elbasanit.
Në tetor 2023, GJKKO dënoi në total me 33 vite burg të pandehurit e kësaj çështjeje, përkatësisht me 5.8 vite ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për korrupsion e shpërdorim detyre.
Kokës iu konfiskuan një pjesë e aksioneve në kantinën e pijeve në Durrës, në vlerën e korrupsionit të kryer, 3.7 milionë euro.
Ndërsa biznesmeni Klodian Zoto, i shpallur në kërkim, u dënua me 10 vite burg, duke përfituar zbritje në 6.8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Të njëjtën masë dënimi gjykata dha edhe ndaj biznesmenit tjetër Mirel Mertiti, edhe ky i shpallur në kërkim.
Ndërkohë Stela Gugallja, administratore në inceneratorin e Elbasanit, u dënua me 7 vjet heqje lirie, por me gjykim të shkurtuar përfitoi zbritjen në 4.8 vjet.
Me 4 vjet burg u dënua Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit, por me gjykim të shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet, ndërsa për anëtarin e komisionit Bardhyl Cabiri, GJKKO dha 2 vjet burg.
Për anëtaren Jonida Zeqo 4 vjet, por nga gjykim i shkurtuar i zbriti në 2.8 vjet burg. 1.4 vite u dënua ish-anëtari tjetër i komisionit, Serafin Papa, teksa i shuhet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi ka përfunduar koha e dënimit gjatë qëndrimit në burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.