Kryeministri Edi Rama e pranoi se inspektimi financiar i nisur në qershor të 2020 nga Ministria e Financave për kompaninë “Albtek Energy” që zotëron incineratorin e Elbasanit është bërë, por nënkuptoi se ky inspektim nuk ishte bërë me miratimin e tij.
“Inspektimi financiar është bërë ashtu siç është bërë gjithmonë dhe që nuk i përcaktoj unë. Inspektimet financiare nuk bëhen me miratimin tim, nuk pyetem unë fare se a duhet inspektuar apo jo, sepse kështu e kuptoj unë punën e Kryeministrit”, tha Rama.
Kryeministri tha se ky inspektim financiar për incineratorin e Elbasanit rrëzon akuzat e opozitës për një grup të strukturuar kriminal në Qeveri.
“Vendimi për fillimin e inspektimit merret nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave dhe fillon kur ka informacione, shqetësime dhe akuza. Është bërë inspektimi financiar. Është bërë në kushtet e pavarësisë së plotë, që tregon se këtu nuk ka pasur asnjë grup të strukturar dhe të asnjë lloj forme. A e imagjinoni dot ju që nëse do të kishte një grup të strukturuar kriminal, Sekretari i Ministrisë së Financave të urdhëronte një inspektim financiar”, shtoi Rama.
Në Komision u zbulua gjatë marrjes së dëshmisë së Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, se Ministria e Financave kishte nisur një inspektim financiar ndaj incineratorit të Elbasanit një vit e gjysmë më parë, në kohën që drejtohej nga Anila Denaj.
Raporti i zbulua nga kryetarja e Komisionit Parlamentar Hetimor, Jorida Tabaku. Tabaku tha se urdhri për inspektim është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, pas dyshimeve për transferta të paligjshme, pagesa para afateve dhe pagesave fiktive, për të cilat janë shpallur në kërkim nga SPAK sot edhe Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.
Tabaku tha se raportin e ka siguruar në rrugë formale vetë dhe ai gjen shkelje të rënda në këto pagesa dhe fatura fiktive për incineratorin e Elbasanit, ndërsa nuk u publikua asnjëherë dhe as iu vu në dispozicion zyrtarisht Komisionit Hetimor Parlamentar.
Ekzistenca e këtij raporti nuk u mohua as nga Anila Denaj, sot anëtare e këtij Komisionit Hetimor dhe as nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Por, Agaçi tha se nuk ishte informuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave.
“Inspektimi tregon që Ministria e Financave ka kryer detyrën e vet”, u shpreh Denaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.