Politike

Incineratorët ‘hyjnë’ edhe në tavolinën e përbashkët me BE

Çështja e incineratorëve u përfshi edhe në diskutimet dhe takimin e Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, që po mban punimet në Tiranë.

Tema u cek fillimisht nga eurodeputeti irlandez, Ciaran Cuffe.

“Incenerimi duhet të mbetet zgjidhja e fundit në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në vendet e Bashkimit Europian dhe sipas acquis të BE, sepse tranzicioni për ekonomi të gjelbërt prioritizon një qasje ndaj riciklimit dhe ripërdorimit”, tha ai.

Tabaku, që udhëhoqi komisionin hetimor parlamentar, pasi tha se nuk dëshironte ta trajtonte këtë çështje në këtë takim lexoi pjesë nga raporti i fundit i Komisionit Europian.

“Ndërtimi i një incineratori të ri, përveç atyre dy ekzistues në Elbasan dhe Fier, paraqet shqetësime në rritje për sa i përket përputhshmërisë me acquis të BE-së për mbetjet, duke përfshirë parimin e hierarkisë së trajtimit të mbetjeve dhe objektivave të riciklimit”, tha Tabaku.

Ajo theksoi se incinerimi është aferë korruptive bazuar në procedura pa garë dhe pa konkurrencë.

“Në këtë kontekst, politika e qeverisë bazuar tek incineratorët, nisur nga përvoja e deritanishme ka pasur mungesë të transparencës dhe llogaridhënies. Kjo ka çuar në shndërrimin e një afere të vërtetë korruptive, e cila kërkon zbardhje nga ana e drejtësisë para opinionit publik, por dhe vetë partnerëve tanë europianë”, u shpreh Tabaku.

Ndërkohë, deputeti socialist, Arben Pëllumbi tha se incinerimi nuk ishte objektiv në vetvete i Shqipërisë, por hallka e fundit e gjithë menaxhimit të integruar të mbetjeve. Ai tha se impiantet e ndërtuara grumbullojnë, diferencojnë dhe riciklojnë mbetjet dhe ato që mbesin digjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë