Kosova

Presidenca e Kosovës: Provokim i pastër, Shkupi të trajtojë me urgjencë rastin  

Presidenca e Kosovës ka reaguar të premten sa i përket incidentit të paprecedentë kundër Presidentes Osmani në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.

Presidenca ka deklaruar se në vend të kërkimfaljes, dje dhe sot MPB e Maqedonisë së Veriut ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të Presidentes së Republikës së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale.

“Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Në fakt sot edhe a Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontrollë të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, thuhej në reagimin e Presidencës.

Sqarimi i Presidencës për incidentin e presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit:

Po e sqarojmë edhe njëherë situatën në tërësi:

Sipas praktikës ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje dhe imunitete diplomatike. Kjo është e ditur botërisht dhe deri më tani është respektuar nga çdo shtet ku ka udhëtuar Presidentja, përfshirë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Pala maqedonase ka qenë paraprakisht e njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e Presidentes në përputhje me praktikat diplomatike.

Nuk është e vërtetë se Presidentja nuk ka pranuar ta skanojë çantën e saj të dorës. E para, Presidentja nuk ka pasur bagazh siç propagandohet në reagime të shumta në media, në Maqedoninë e Veriut. Pra, është gënjeshtër se ajo ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi. Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj”, sqaron edhe njëherë Presidenca.

“Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se kinse ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë shpier tek kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të Presidentes. Kjo është tendencë e paprecedentë për denigrim jo vetëm të Presidentes, por edhe të shtetit të Kosovës. Maqedonia e Veriut duhet ta ketë parasysh që një propagandë të tillë është duke e bërë kundër një Presidenteje, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka kontribuar vetëm e vetëm në thellimin e raporteve pozitive ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”.

“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident.

Në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Republikës së Kosovës, kërkojmë nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin me seriozitet të lartë dhe të merren masat përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës”, njofton Presidenca.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë