Gazeta Si - Incidentet në zonat ushtarake në Gramsh dhe Poliçan dy ditët e fundit, dyshohet të kenë ndodhur në mënyrë të planifikuar për të tërhequr vëmendjen nga ndonjë ngjarje tjetër.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, deklaroi se po hetohet fakti që dy rusët dhe ukrainasi të kapur në Gramsh, të jenë tentativë për të fshehur një skenar tjetër.
Peleshi tha se këtë incident e sheh të lidhur dhe me sulmin kibernetik të ndodhur pak kohë më parë ndaj sistemit online të qeverisë.
“Nuk përbën cenim të sigurisë kombëtare, por të rregullores. Për më tepër kemi ushtrim dhune ndaj personave në detyrë, tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi. – Objekti nuk është i klasifikuar, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të ruhet. Ne kemi më shumë se 1 mijë prona, shumë prej tyre pa aktivitet, por minimalisht ka llaç e tulla, e përbëjnë vlera materiale dhe duhen ruajtur”, - shtoi ai.
Peleshi pranoi se çdo javë ka informacione për turistë që tentojnë të fotografojnë apo t’u afrohen objekteve të vjetra në Shqipëri
“Por në këtë rast, minimalisht kemi dhunë ndaj personelit me uniformë, agresion, maksimalisht nuk na lejohet të aludojmë. Por skenarët e mundshëm i mendojmë. Mund të jetë dhe tentativë për të fshehur një skenar tjetër. Mos harroni se pak ditë më parë u përballëm me një sulm serioz kibernetik. Të gjitha ngjarjet i shohim të lidhura me njëra tjetrën. Nuk na rezulton që këta shtetas, të kenë aplikuar dhe marrë leje apo herën e kaluar. Por presim hetimet”.
Sipas tij, “kemi të bëjmë me një grup të huajsh që as kanë tentuar ta vizitojnë atë zonë ushtarake me leje sipas procedurës. Por kanë tentuar të hyjnë në të, njëri prej tyre ka reaguar në mënyrë të dhunshme”.
Ministri i Mbrojtjes e lidhi ngjarjen edhe me situatën që po kalon së fundmi Ballkani.
“Ne jetojmë në një rajon delikat. Rajoni i Ballkanit është kompleks”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, tha se të huajt kanë fotografuar objekte të deklasifikuara. Ministri tha se nuk mund t’i vihet agjent nga pas çdo turisti, por masat nisin në momentin që ata shkelin ligjet.
“Të gjitha këto objekte të fotografuara janë të deklasifikuara. Në momentin që ai shkel një nen të Kodit Penal, ai do të fillojë procedimin ndaj tyre. Minimalisht ai ka bërë një agresion ndaj një personi me uniformë. Kjo është shkak ë të detyron hetimin e thelluar. Nuk mund t’u vëmë agjent nga pas çdo turisti. Nuk është ky rasti. Shteti vepron në varësi të reagimeve të çdo turisti, qoftë ky me pasaportë ruse”, tha ai.
Për Çuçin, hetimi nga Prokuroria do të thellohet, sepse në uzinën e Gramshit, rusët shkelën kodin penal duke ushtruar dhunë ndaj ushtarëve.
“Ka një kategori turistësh që kjo punë ju jep adrenalinë. Gjejnë fabrika dhe bëjnë foto e i kanë si seleksiono. Kjo nuk përbën vepër penale. Fakti që ata kanë bërë fotografi të peizazhit industrial, përderisa nuk shkelur rregullat nuk është më as i dyshuar. Objektet janë të desaklifikuar. Nuk ka asnjë objekt të klasifikuar dhe që ka dalë në foto dhe të jetë votuar në media sociale. Në momentin që ai shkel kodin penal të Shqipërisë, do hetohet dhe do përballet me procedime. Ai ka bërë një agresion ndaj ushtarit dhe kjo është shkak që hetimet të thellohen deri në fund. Prandaj duhet të priten hetimet deri në fund”, - vijoi Çuçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.