Aktorët që operojnë në fushën e turizmit ndjehen shumë pesimist për mbarëvajtjen e sezonit këtë vit.
Sipas tyre, krizës së pandemisë, po i shtohet edhe frika e procesit të nderë të fushatës zgjedhore për të parashikuar edhe një sezon tjetër turistik me skenar pesimist. Përfaqësues të shoqatave të turizmit thonë që edhe ky vit do të jetë shumë i vështirë për sektorin.
“Shumë keq. Pikërisht sepse kishim frikën e tensionimit të situatës, kemi kërkuar prej vitesh spostimin e kohës së zgjedhjeve, sa më larg sezonit turistik. Dhe për fat të keq, edhe pse vitet kalojnë, politika e vjetër vazhdon të vendosë interesat e veta për pushtet mbi gjithçka, edhe mbi ekonominë dhe mirëqenien e njerzëve që do t’i votojnë”, shprehet për Gazetën “Si”, Kliton Gërxhani nga Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike (ATOA).
Parashikimet në radhët e sipërmarrësve dhe shoqatave të turizmit përpara se të niste fushata elektorale ishin përsëri për një vit të vështirë, por me shpresën që të paktën të jetë më i mirë se turizmi në 2020.
“Ka ngacmime të vakëta, sepse edhe vendet e tjera, si të Europës Perëndimore, si të Amerikës, janë akoma në luftë për ta kontrolluar pandeminë, e cila për fat të keq në shumë vende është akoma në kulmin e vet. Nuk mund të them se ka ndonjë interes të shtuar edhe nga vendet e rajonit, për të pushuar në Shqipëri. Gjithë fokusi tani është tek vaksinimi dhe interesi ndoshta do të shtohet gjatë muajve të verës”, shprehet Gërxhani.
Skenari më i mirë që ai parashikon është që sezoni i verës do të dominojë përsëri nga pushuesit shqipfolës, kryesisht të Kosovës.
“Dhe skenari më i mirë do të jetë që turistët perëndimorë të fillojnë të vijnë për ture kulturore dhe natyrore në vjeshtë të këtij viti. Flas në numra që vlen të konsiderohen. Nga zgjedhjet presim që të kemi një Ministri Turizmi më të mirë, që do të fillojë punën duke kuptuar realisht gjendjen e turizmit nga goditja e pandemisë dhe të ulet e të dëgjojë seriozisht të gjithë aktorët kryesorë të vendit në turizëm. Shpresojmë në 2022-2023 për një rimëkëmbje të mirëfilltë”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




