Gazeta Si – Incidentet e ndeshjes me Poloninë nuk janë mbyllur me dënimin e dhënë nga UEFA, me gjobën 44 mijë euro të saj dhe dënimin me kusht për mbylljen e pjesëshme të stadiumit ‘Air Albania’. Edhe FSHF, me anë të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës, ka marrë masat e saj.
Pesë tifozë kuqezi, të cilët duket se kanë rezultuar më problematikët, janë përjashtuar nga stadiumet shqiptare për një kohë të pacaktuar. Emrat e tyre, sipas njoftimit zyrtar të FSHF-së, janë dorëzuar edhe në Policinë e Shtetit.

‘Pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, korrespondencën me policinë e shtetit lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen Shqipëri–Poloni, të zhvilluar më 10.09.2023, ku janë konstatuar shkelje, si dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi, KDE vendosi të ndalojë hyrjen në stadiumet e futbollit të Shqipërisë, ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF, UEFA e FIFA për një periudhë të pakufizuar kohe personave të më poshtëm:
Gerti Lleshi
Rinor Grajveci
Edmond Hyseni
Almir Dubovci
Berat Maloku
Udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF-së, të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi. Një kopje e këtij vendimi t’i përcillet Policisë së Shtetit”, – shkruhet në njoftim.
FSHF, me sa duket, ka nisur të marrë masa të ashpra konkrete për të parandaluar incidentet në stadium, që kanë qendë të shpeshta dhe mund të dëmtojnë futbollin shqiptar e veçanërisht Kombëtaren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




