Nga Gazeta ‘Si’-Mbrëmjen e kaluar në Lezhë janë regjistruar tensione mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Aleancës Euroatlantike.
Në qendër të incidentit kanë qenë nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, drejtori i OSHEE-së në Lezhë, Andi Marku (të dy nga PS), Gjin Gjoni nga PD dhe Eduart Ndocaj nga Aleanca Euroatlantike.
Sipas përfaqësuesve të PS, rruga u është bllokuar qëllimisht nga Ndocaj dhe Gjoni, duke shkaktuar tension mes grupeve. E nga ana tjetër Gjoni dhe Ndocaj pretendojnë se socialistë kanë dashur të blejnë vota.
Policia ndërhyri menjëherë dhe shoqëroi të gjithë të përfshirët për të dhënë deklarimet e tyre në komisariat.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka publikuar një foto ku shfaqet makina e nënkryetarit Zefi e bllokuar në rrugë, duke akuzuar opozitën për provokime të qëllimshme gjatë fushatës.

Kjo ngjarje ndodh vetëm një ditë pas një denoncimi publik nga familjarët e kandidates së PS-së për Lezhën, Klotilda Ndreca. Ata akuzuan Gjin Gjonin se persona të urdhëruar prej tij i kanë kërcënuar me armë në afërsi të banesës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.