Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 5 vite burg për ish-deputetin socialist, Alqi Bllako, i akuzuar për korrupsion pasiv për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Prokurori Dritan Prençi tha se Bllako është zyrtar i lartë shtetëror dhe kërkuan shpalljen e tij fajtor për korrupsion pasiv në dy raste.
Rasti i parë ka të bëjë me blerjen e një pajisjeje për biznesin e babait të tij, ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me një pagesë që ka kërkuar për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të vijonte punën dhe ta ndihmonte në procedurat koncesionare.
Nëse dënohet me 5 vite burg, Bllako përfiton nga gjykimi shkurtuar dhe dënimi përfundimtar do jetë 3.4 vite burg dhe 5 vite nuk ushtron asnjë funksion publik.
Sipas SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej rreth 120 mijë eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët “de facto” të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij, një fabrikë birre në Ersekë.
Gjithashtu, Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit.
Për shërbimin e Bezhanit si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Bllako akuzohet se i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësonte fiktivisht Bezhanin për të siguruar një pagë prej 7.5 milionë lekësh të reja.
Sipas SPAK, gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i Kokës, ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas orientimit të Alqi Bllakos duke i siguruar të dhëna të marra nga Autoriteti Kontraktor.
Bllako është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në Shkallë të Parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



