Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar nga selia blu lidhur me sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës.
“Vetëm dje, pas vitesh denoncime të Partisë Demokratike, përballje me forcën e provave dhe fakteve, padive në SPAK, më në fund u hap kapaku i pusetës së inceneratorit inekzistent të Tiranës.
Partia Demokratike vlerëson çdo masë dhe vendim për zbatimin e ligjit.
Por, Partia Demokratike deklaron se sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës bëhet dy vite pasi pronarët e tij, fiktiv apo në letra, janë shpallur në kërkim dhe në fakt, kjo masë ndryshe nga dy të tjerët, djegësi i Elbasanit dhe Fierit as që mund të kryhet, sepse në Sharrë nuk ka pasur kurrë dhe nuk ka as sot incenerator.
Letrat dhe kompania e Zoto-Mërtirit mund të sekuestrohen.
Njoftimi që SPAK bëri tregon edhe hetimin e veprës penale “shpërdorim detyre” një vepër që nuk i përket as Zotos, as Mërtirit, dy individë që më së shumti janë vetëm aksionerë dytësorë të sipërmarrjes Rama- Veliaj.
“Shpërdorimi i detyrës” ju takon Edi Ramës, Erion Velisë dhe anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale që ngritën si sipërmarrje të tyre djegësat, dhe realizuan vjedhjen e shekullit...”, tha Zhupa
Më tej ajo shtoi: “SPAK nuk mund t’ju servirë si pronarë të vërtetë Zoton dhe Mërtirin, kur me firmat dhe vulat e tyre të tillë mund të provohen Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi etj”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.