Gazeta Si – Gjykata e Posaçme dënon me 3 vite burg ish-ministrin e Mjedisit dhe deputetin e LSI-PS, Lefter Koka për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Koka u shpall fajtor, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i ulet me një të tretën, me 1 vit dhe për 2 vitet e mbetura, izolimi rreth çështjes, quhet i vuajtur.
Në përfundim, duke përllogaritur kohën e paraburgimit dhe çështjes së arrestit, GJKKO vendosi shuarjen e masës së sigurisë për këtë dosje. Koka do duhet të qëndrojë edhe 5 vite larg çdo funksioni publik.
Verdikti u shpall sot nga trupa gjykuese, teksa ish-zyrtari i lartë ishte hetuar, arrestuar, gjykuar dhe dënuar edhe për rastet e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit.
Ndërsa për të akuzuarit e tjerë, GJKKO, vendosi:
Bledar Karoli dënohet me 3 vite burg me gjykim të shkurtuar 2 vite burg shuarje e masës së sigurimit dhe 5 vite jashtë funksioneve publike. Ndërkohë Fatjon Murataj 3 vite dhe përfundimisht me 2 vite, si dhe 5 vite jashtë funksioneve publike.
Taulant Tusha dënohet me 3 vite dhe përfundimisht 2 vite dhe 5 vite dënim plotësues. Namik Simirxhiu me 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar me 2 vite burg dhe 5 vite jashtë funksioneve publike.
Valbona Ballgjini 3 vite burg me gjykim të shkutruar 2 vite pezullohet burgu dhe konvertohet në shërbim prove prej 4 vitesh, teksa i është hequr masa e sigurimit arrest në shtëpi. Edhe Valbona Ballgjini lihet 5 vite jashtë funksioneve publike.
Sidita Kopliku dënohet me 1 vit e 6 muaj përfundimisht me 1 vit burg dhe i konvertohet në shërbim prove brenda 6 muajve puna në interes publik. I hiqet e drejta për 5 vite detyrë në funskione publike. Ndërkohë Jetmir Rrapaj deklarohet i pafajshëm.
Për inceneratorin e Elbasanit, Lefter Koka ishte dënuar me 6.8 vite dhe po rigjykohet për inceneratorin e Fierit. Ndërsa Tushe mbetet në burg për dosjen “5D”.
Sipas SPAK, ish-ministri dhe ish-zyrtarët e pandehur të ministrisë së Mjedisit kanë ndihmuar shoqërinë “Integrated Energy BV” të zotëruar nga Klodian Zoto, që të pajisej me dokumentacionin e nevojshëm para dhe pas procedurës koncesionare, me qëllim që të shpallej fituese. Hetimi ka zbuluar komunikim mes tyre dhe dijeni nga shoqëria për dokumentacionin e nevojshëm para se të paraqitej propozimi i pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit.
Inceneratori i Elbasanit
Në nëntor të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi ish-ministrin Koka me 10 vite burg, duke ia ulur në 6 vite e 8 muaj burg pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa Alqi Bllako u shpall fajtor dhe është dënuar për ‘shpërdorim detyre’ me 4 vite burg, nga të cilat me gjykim të shkurtuar do të kryejë 2 vite e 8 muaj.
Për këtë çështje, Klodian Zoto u dënua në mungesë me 10 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6.8 vite burgim. I njëjti dënim në mungesë u dha edhe për Mirel Mërtirin. Stela Gugallja, e arrestuar pak kohë më parë në Vjenë, u dënua me 7 vite burgim dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 4.8 vite.
Inceneratori i Fierit
Në dhjetor të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit prish vendimin për inceneratorin e Fierit dhe e rikthen për rigjykim në shkallë të parë. Në shtator të vitit 2023, Gjykata e Posaçme kishte dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “pastrim të parave”. Ish-deputeti Bllako ishte fajësuar vetëm për një akuzë me 2 vjet e 8 muaj.
Zotërues i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Fierit, Klodian Zoto, u dënua me 12 vite burg. Nga 4 akuza për “korrupsion” Zoto u deklarua fajtor vetëm për një prej tyre, ndërsa u gjet fajtor edhe për “mashtrim me pasoja të rënda”, “krijim skemash mashtruese” dhe “pastrim të parave”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.