Drejtësia

Inceneratori i Tiranës / GJKKO pranon gjykim të shkurtuar për 8 të pandehur, mes tyre dhe ish-ministri Lefter Koka

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pranoi kërkesën e 8 të pandehurve nën hetim për inceneratorin e Tiranës, për zhvillimin e procesit me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Ata janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Bledar Karoli, Erjon Murataj, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku dhe Jetmir Llapaj.

Ndërsa të pandehurit e tjerë Etleva Kondi, Alba Thoma, Pëllumb Abeshi dhe Silena Tola kërkuan zhvillimin e procesit me procedurën e gjykimit të zakonshëm dhe ndarjen e çështjes.

Ata kërkuan po ashtu dërgimin e akteve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me Juridiksion të Përgjithshëm.

SPAK kundërshtoi ndarjen e çështjes dhe dërgimin e akteve në një gjykatë të juridiksionit të zakonshëm. Gjykata vendosi veçimin e çështjes për shkak të kërkesës së 4 të pandehurve.

12 të pandehurit akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, sa i takon procedurës për dhënien e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publikë kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

Në seancën e radhës do të jepet pretenca për 8 të pandehurit. SPAK do të relatojë konkluzionet përfundimtare në datë 7 shkurt ora 11:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë