Gazeta Si- Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vjet burg për korrupsion ish-deputetin e PS, Alqi Bllako për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ish-ligjvënësit socialist do t’i duhet të vuajë 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Bllako u shpall fajtor për dy episode korruptive të lidhura me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Për këtë çështje, Bllako u mor i pandehur nga SPAK në nëntor të vitit të shkuar. Prokuroria e Posaçme kërkoi 5 vite heqje lirie dhe 5 vite jashtë funksioneve publike, për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.
Alqi Bllako dyshohet se ka përfituar 119 mijë euro në mënyrë të paligjshme, pasi sipas SPAK, këto para i ka përfituar në dy raste pagesash.
Rasti i parë ka të bëjë me blerjen e një pajisjeje për biznesin e babait të tij, ndërsa i dytë me një pagesë që ka kërkuar për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të vijonte punën dhe të ndihmonte në procedurat koncesionare.
Për inceneratorin e Tiranës disa ditë më parë prokurorët e SPAK lexuan pretencën edhe për 11 zyrtarë të tjerë, mes tyre dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka. Ata po gjykohen në një tjetër çështje, ndërsa në kërkim janë dhe 8 persona të tjerë.
Zyrtarët që akuzohen për shpërdorim detyre dhe të shpallurit në kërkim sipas SPAK, kanë vepruar si grup kriminal në krye të të cilit qëndronte Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.