Drejtësia

Inceneratori i Fierit, Apeli i GJKKO-së vendos në 19 dhjetor për të akuzuarit

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit do të shpallë në 19 dhjetor ora 14:00 vendimin për dosjen e inceneratorit të Fierit.

Këtë të mërkurë bëri mbrojtjen e tij ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili nëpërmjet avokatit të tij Julian Mërtiri, kërkoi pafajësi.

Ai mohoi të kishte shpërdoruar detyrën, duke argumentuar se nuk kishte ndikuar dhe as nuk kishte kompetenca në procedurat koncensionare. Rrjedhimisht sipas mbrojtjes, nuk kishte as arsye pse të korruptohej nga biznesmeni Klodian Zoto.

Më tej Koka mohoi gjithashtu të ketë pastruar para duke rrëzuar pretendimet e SPAK se e kishte marrë ryshfet nëpërmjet disa transaksioneve me fatura fiktive.

Ndërkohë, SPAK nga ana tjetër thotë se ka të provuar fajësinë e tij, të ish-deputetit Alqi Bllako dhe 14 personave të tjerë të gjykuar në ketë proces.

Më herët, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar prishjen e vendimit të shkallës së parë, në lidhje me pafajësitë që janë dhënë për Arben Dervishaj, Juri Imeraj dhe Arjola Kodra, si edhe për Alqi Ballkon, i cili u shpall i pafajshëm për shpërdorim detyre.

Shkalla e Parë dënoi Lefter Kokën, Alqi Bllakon, Klodian Zoton dhe 12 të pandehurit e tjerë për këtë aferë.

Ish-ministri i Mjedisit u dënua me 6 vite e 8 muaj burg, Klodian Zoto me 8 vite, ndërkohë ish-sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, Alqi Bllako me 2 vite e 8 muaj burg, si pasojë e ndryshimit të akuzës.

Për të SPAK kishte kërkuar 7 vjet burg, por Bllako mori pafajësi për akuzën “shpërdorim detyre të funksionarit të lartë shtetëror”, dhe vepra penale iu rikualifikua në “shpërdorim detyre të nëpunësit që kryen detyrë publike”.

Po ashtu, Koka, Bllako dhe të tjerët janë dënuar edhe për shkeljet e kryera edhe në çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

Ish-ministri është dënuar në Apel me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 6 vite e 8 muaj burg.

Alqi Bllako u dënua për ‘shpërdorim detyre’ me 4 vite burg, nga të cilat me gjykim të shkurtuar do të kryejë 2 vite e 8 muaj.

Klodian Zoto u dënua në mungesë me 10 vite burg dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6.8 vite burgim.

I njëjti dënim në mungesë u dha edhe për Mirel Mërtirin. Stela Gugallja, e arrestuar pak kohë më parë në Vjenë, u dënua me 7 vite burgim dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajë 4.8 vite.

Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo u dënuan me 4 vite heqje lirie dhe me gjykim të shkurtuar do të vuajnë 2.8 vite heqje lirie. Bardhyl Çabiri u dënua me 2 vjet dhe Serafin Papa 1.4 burg.

Po ashtu Gjykata ka urdhëruar konfiskimin e disa pasurive të sekuestruara të personave të sipër-përmendur të dënuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë