Drejtësia

Inceneratori i Elbasanit, SPAK i komunikon tre akuza Arben Ahmetajt

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për ish-zëvëndës kryeministrin Arben Ahmetaj në lidhje me inceneratorin e Elbasanit.

Përmes avokatit të tij, SPAK i ka komunikuar Ahmetajt tre akuza “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “fshehje dhe mos deklarim pasurie”.

Mbyllja e hetimeve iu komunikua edhe bashkëjetueses së Ahmetajt, Erjola Hoxha dhe ish-bashkëshortes së tij Albina Mançka, si dhe Andi Bonit, Geirjan Kukas, Klodian Zotos, Mirel Mërtirit, Sonila Meqemejas, Elidon Begajt dhe Elda Dinajt.

Kjo dosje doli si fraksion më vete për procedimin kryesor të inceneratorit të Elbasanit, ndërsa personat e lartëpërmendur akuzohen për një sërë veprash penale.

Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme prej muajit korrik të vitit 2023, ndërkohë që organi i akuzës ka vendosur në sekuestro disa prona në emër të tij dhe familjarëve të tij.

Ahmetaj ndërkohë po gjykohet në GJKKO në lidhje me veprën penale “shpërdorim detyre” për dosjen “Buka sha”, veprim që dyshohet se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit rreth 7 miliardë lekë dëm.

Prej vitit 2023, ai është në arrati pasi ndodhet në Zvicër, ndërsa ka pohuar se të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij janë politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë