Drejtësia

Inceneratori i Elbasanit / Konfiskohen pasuri të paluajtshme të ish-ministrit Lefter Koka dhe katër të pandehurve të tjerë

Gazeta Si – Me urdhër të Gjykatës së Posaçme të Apelit, policia ka konfiskuar 12 pasuri të paluajtshme dhe 5 shoqëri tregtare, në pronësi të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe katër të pandehurve të tjerë në çështjen e inceneratorëve, Miklovan Xhafa, Agim Seferi, Arbër Denizi dhe Mateo Rustani.

Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar 12 pasuri të paluajtshme dhe 5 shoqëri tregtare, të cilat janë në pronësi të tyre.

Bllokimi i këtyre pasurive vjen pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila dënoi me 6 vite e 8 muaj burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

Bëhet fjalë për 88% të aksioneve në emër të Lefter Kokës, në një kantinë në Rrashbull me vlerë rreth 245 milionë lekë.

Gjithashtu për llogari të shtetit kanë kaluar 3 njësi me sipërfaqe 297 m2 me vlerë 30 milionë lekë. Në emër të 5 personave u bllokuan dhe 8 apartamente me sipërfaqe 789 m2 dhe vlerë 53 milionë Lekë.

Pjesë e konfiskimit gjithashtu është edhe një pasuri e paluajtshme truall me sipërfaqe 147 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 126 m2 me vlerë rreth 13 milionë lekë.

“Sektori për Hetimin e Korrupsionit, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal të vitit 2020, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për konfiskimin e 12 pasurive të paluajtshme dhe të 5 shoqërive tregtare, në pronësi të shtetasve L. K., M. Xh., A. S., A. D. dhe M. R., konkretisht:    

-88.19% e aksioneve në pronësi të shtetasit L. K., në një shoqëri tregtare në Rashbull, Durrës, me vlerë korensponduese 244 442 972 lekë;     

-1 njësi me sipërfaqe 206 m2, në një subjekt tregtar, me vlerë rreth 20 857 500 lekë; 

-1 njësi me sipërfaqe 22.8 m2, në një subjekt tregtar, me vlerë rreth 2 308 500 lekë;  

-1 njësi me sipërfaqe 68 m2, në një subjekt tregtar, me vlerë rreth 6 885 000 lekë;  

-1 apartament me sipërfaqe 82 m2, me vlerë rreth 5 535 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 110 m2, me vlerë rreth 7 425 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 87 m2, me vlerë rreth 5 872 500 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 84 m2, me vlerë rreth 5 670 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 81 m2, me vlerë rreth 5 467 500 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 116 m2, me vlerë rreth 7 830 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 94 m2, me vlerë rreth 6 345 000 lekë;

-1 apartament me sipërfaqe 135 m2, me vlerë rreth 9 112 500 lekë;

-pasuri e paluajtshme truall me sipërfaqe 147 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 126 m2, me vlerë rreth 12 757 500 lekë. 

Pasuritë e konfiskuara do të administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në Ministrinë e Brendshme”, njofton policia.

Koka, Bllako dhe të tjerët janë dënuar edhe për shkeljet e kryera edhe në çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është dënuar në Apel me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 6 vite e 8 muaj burg.

Alqi Bllako u dënua për ‘shpërdorim detyre’ me 4 vite burg, nga të cilat me gjykim të shkurtuar do të kryejë 2 vite e 8 muaj.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit prishi vendimin për inceneratorin e Fierit dhe e rikthen për rigjykim në shkallë të parë.

Në shtator të vitit të kaluar, në mbyllje të gjykimit të dosjes së inceneratorit të Fierit, Gjykata e Posaçme dënoi më 6 vjet e 8 muaj burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “pastrim të parave”. Ish-deputeti Bllako u fajësua vetëm për një akuzë me 2 vjet e 8 muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë