Politike

Inceneratorët, Këlliçi: 5.5 mln euro qarkulluan me firmë të falsifikuar pas vdekjes të një qytetareje, SPAK të hetojë

Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi doli në mesditë nga selia blu për një denoncim që lidhet me një evazion fiskal që është bërë në një nga kompanitë e lidhur me inceneratorët.

“…Firma e Gjyste Sermit është falsifikuar dhe përdorur në veprime antiligjore, dy herë kur ishte në prag të vdekjes, dhe tri herë pas vdekjes. Në emrin e saj, post mortem, qarkulluan 5.5 milionë euro.

Në QKB janë bërë disa veprime nën firmën e saj, edhe pse statusi në gjendjen civile e shënonte si ‘e vdekur’.

Kjo është një histori makabre keqpërdorimi të emrit, nderit dhe varrit të një shqiptareje. Zhbërja dhe turpërimi i një tradite të lashtë.

Partia Demokratike i dënon ashpërsisht përdhosësit, mashtruesit kronikë dhe hajdutët serialë të pasurisë publike.

Ata kanë emra dhe portrete të ndryshëm, por që të gjithë gjallojnë nën hijen e Edi Ramës, ministrave dhe bandës së inceneratorëve”, tha Këlliçi.

“I bëjmë thirrje SPAK të dalë nga letargjia, të ndjekë paranë, dhe gjurma e tyre do ta çojë te porositësit e skemës.

Në emër të dinjitetit dhe të ligjit duhen ndalur sa më parë ata, babëzia e të cilëve nuk ndalet para asgjëje.

Ka ardhur koha që t’i themi “boll vodhe, IK!” kësaj qeverie të vdekjes”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë