Politike

Inceneratorët, Basha: Babai i Alqi Bllakos, 10 mln në muaj. U faturuan 850 mijë euro udhëtime kur s’lëvizte njeri. Spiropali: Të hapen dosjet e vjetra 

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e fokusoi fjalën e tij në seancën e të enjtes në Kuvend tek puna e deritashme e komisionit hetimor për inceneratorët.

Sipas tij, komisioni po zbulon përditë fakte dhe dëshmi se si një skemë e strukturuar, e paramenduar dhe e mirëllogarittur është bërë për të vjedhur 430 milionë nga lekët e shqiptarëve.

“…Ditë për ditë shqiptarët po dëgjojnë përmes Komisionit Hetimor për inceneratorët, faktet dhe dëshmitë se si ka ndodhur kjo vjedhje. Kemi vite që e denoncojmë, por për herë të parë faktet se si ka ndodhur vjedhja po dalin para syve të shqiptarëve. Se si është ndërtuar dhe strukturuar skema, se si është paramenduar dhe mirëllogaritur vjedhja e 430 milionë euro nga paratë e shqiptarëve, të taksave të shqiptarëve. Skemë e cila përfshin ministritë kryesore dhe kryeministrin…

Së pari se pagesat me paratë e shqiptarëve për të ashtuquajturin incenerator i Tiranë i cili në fakt nuk ekziston, kanë filluar 2 vjet para se të nisnin punimet se incenerimi nuk ka nisur, djegia nuk ka nisur. Por prej 2018-ës shqiptarët, qytetarët paguajnë 29 euro për ton. Ku në mes të pandemisë ku e gjithë bota kishte ndaluar  fluturimet këta kanë faturuar 850 mijë euro fluturime dhe udhëtime.

Skemë e pastër e pastrimit të parave. 10 milionë në muaj është rroga e babait të njërit prej deputetëve këtu në sallë sa 5 deputetë bashkë merr babai i njërit prej jush këtu në këtë sallë nga inceneratorët e pagat me paratë e qytetarëve, Alqi Bllakos.

Klodian Zoto, Stela Gugallja, të dy në kërkim, Mirel Mërtiri kanë ndërtuar një skemë për të përfituar pagesa gjigande, qindra, mijëra euro përmes kompanive për konsulencë në kundërshtim të hapur me ligjin. Ndërsa siç e patë administratori aktual i inceneratorit të Fierit, që në fakt është një ndërtesë bosh siç tregoi edhe inspektimi, dëshmoi se s’ka marrë kurrë pagën e deklaruar në tatime prej 9 milionë lekë në muaj. Këto janë të vërtetat e ditës së parë. Ditën e dytë patëm të tjera dëshmi se si u ndërtua skema nga qeveria, se si çdo punë e inceneratorëve të Fierit, Tiranës dhe Elbasanit është bërë nga kompani nënkontraktuese të krijuara nga pronarët e tyre, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja duke përfituar miliona euro. Ndërkohë të ardhurat pas sekuestrimit nga prokuroria ishin më pak se 5 mijë euro”, tha Basha.

Sipas tij, Stela Gugallja i ka zbrazur llogaritë para arratisjes.

“Ndërkohë që merrte pagesa nga taksat e qytetarëve, inceneratori i Elbasanit merrte edhe garanci sovrane nga  buxheti i shtetit për të paguar rrogat deri në 4 mijë euro afërsisht sa 3 deputetë të këtij Kuvendi. Pas kësaj koncesionit për inceneratorin e Elbasanit  iu shtua edhe koncesioni pa procedurë i dhënë pa garë për shitjen e energjisë për 25 vjet, dokument i mbajtur i fshehtë deri ditën e pardjeshme. Më këto para pronarët kanë paguar për një flotë makinash luksoze për të cilat kanë paguar nga 95 mijë deri në 60 mijë euro për makinë”, tha ai

Basha nënvizoi se brenda 8 orëve janë marrë 17 vendime në kundërshtim me ligjin e Prokurimeve Publike. Basha shpjegoi edhe skemën.

“Ministri i Financave jep miratimin për t’ia dhënë  kompanisë “AlbTec”, negocim pa shpallje,  procedurë po kështu në kundërshtim me ligjin. Koncensioni po kështu jepet me negocim pa shpallje ligji nuk e parashikon. Damian Gjiknuri jep koncesionin për 25 vjet për shitje energjie ndërkohë e mohon dhe fsheh dokumentet. Asnjë nga inceneratorët nuk ka  leje mjedisore. A mund të bëhen të gjitha këto, 4 ministra të përshirë, Sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit i përfshirë pa dijeni e kryeministrit? Sigurisht që jo!

Koncesioni iu dha një kompanie që nuk  ka një ditë përvojë në ndërtim inceneratorësh. Pra, edhe sot që flasim vazhdojnë të paguhen para të shqiptarëve për këtë aferë korruptive. Pyetja që shtohet e do të vazhdojë të shtrohet deri sa përgjigja të zbardhet është një dhe vetëm një dhe nuk ka shqiptarë, në këtë sallë jo e jo, por anë e mbanë Shqipërisë që nuk e di përgjigjen: A ka mundësi të ndodhë e gjitha kjo pa dijeninë, pa miratimin dhe jo pa lyerjen e gishtit, por pa marrjen e të gjithë tepsisë nga i pari i qeverisë Edi Rama?

Presim të kthehet nga zdërhallja e fundit të dalë para komisionit të inceneratorit dhe të na shpjegojë se si qeveria e tij i ka marrë të gjitha këto vendime prapa shpinës së tij”.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, iu përgjigj qëndrimit të Bashës në Kuvend.

Spiropali iu kthye me të njëjtën monedhë kur kërkoi nga organet e drejtësisë që të hapin dosjet e vjetra të politikanëve, teksa u shpreh se “I bëjmë thirrje SPAK, prokurorisë, gjykatave, të shohin mirë ato dosje që janë aty, t’iu heqin pluhurin. E mbani mend besoj komisionin e CEZ, etj. T’i hapë drejtësia të gjitha, deri në fund”.

“Ka vetëm një arsye pse gjithçka që u tha këtu nga Basha është e pabesueshme për këdo që ka mend në kokë, sy për të parë e vesh për të dëgjuar. Mungesa absolute e koherencës në ato që thotë dje, ato që bën sot, ato që do të thotë nesër, është ulëritëse. Është i njëjti njeri që javë pas jave, muaj pas muaji e ditë pas dite, që përsërit që reforma në drejtësi është e kapur nga kjo shumicë, që i ka shërbyer kësaj shumice dhe që është një vegël në duart e tyre. Është po i njëjti njeri sot që flet për hetime nga institucionet që janë krijuar përmes vullnetit politik të kësaj shumice dhe të kryeministrit Edi Rama. Për të parë si është drejtësia sot, duhet të shohim si ishte drejtësia dje. Kush e mendonte në Shqipëri që kryebashkiakë, udhëheqës politikë, ministra apo drejtues të tjerë do viheshin kurrë në dyshim, le më të merreshin të pandehur e të dilnin para prokurorisë. Lulzim Basha është shembulli i gjallë se si, jo për këto afera që thotë ky e për numra që i përsërit se nga matematika nuk merr veshë, por për fakte e vjedhje ka shpëtuar vetë pikërisht për shkak të asaj drejtësie. Flet këtu për gishta e duar brenda e jashtë zullumit, ky që vetëm dy gishta ka larë dhe është i zhytur i gjithi brenda.

…Sot që interesi juaj është i ndarë mes dy njerëzve, ju bëni garë se kush do shkojë më parë në burg. Çoni letra prej hetuesi nëpër ambasada. Nuk e përcaktoni ju se kush shkon në burg, shkoni e përgjigjuni për ato që keni bërë. Patjetër që ky sistem drejtësie nuk është perfekt, jep shenja se mund të intimidohet, por po ndryshon. Por në fund, përtej këtij sistemi, është edhe gjykata e pagabueshme, vota e qytetarëve, që ju nuk e keni e nuk do ta keni”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë