Një tjetër nënvariant i Omicron po qarkullon në Evropë, ai Omicron 3. Imunologu italian, Andrea Cossarizza bën apel për kujdes, duke shtuar se Italia po përballet me shumë raste riinfektimesh.
Në vend të dozës së katërt të detyrueshme, imunologu Andrea Cossarizza e konsideron të nevojshme një tjetër vaksinë e cila të ketë mbulim për variante të reja e Covid-19.
“Varianti i ri Omicron 3, po përhapet gradualisht edhe në vendin tonë, duke përfshirë ende një numër të kufizuar kontaktesh. Simptomat nuk ndryshojnë shumë nga ato të Omicron BA.1 dhe BA.2, ku më të zakonshmet janë; dhimbjet e kokës, ftohjet, lodhja, por edhe ethet apo dhimbjet e fytit”, përshkruan doktori Cossarizza.
Por sa ngjitës është varianti i ri? Çfarë mund të presim në të ardhmen e afërt?
Imunologu i Unimore Andrea Cossarizza bën një pasqyrim të situatës.
“Në shumicën e rasteve, falë faktit që shumica dërrmuese e njerëzve sot janë të vaksinuar, simptomat më të zakonshme që paraqet Omicron janë fatmirësisht më të butat nga ato që kemi njohur deri më tani”, shpjegon imunologu.

Sipas tij, ka gjithmonë një përfshirje të rëndësishme të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, domethënë hundës dhe fytit, që është më i madh se ai i mushkërive. Duket se ka më pak përfshirje të shijes dhe nuhatjes. Gjithashtu, është parë se ky variant shkakton më pak dëmtime të drejtpërdrejta në qelizat e mushkërive, por “më pak dëmtime” nuk do të thotë “zero dëmtime.”
Për këto arsye, normat e shtrimit në spital kanë rënë sot, por te personat e pa vaksinuar vështirësia e simptomave mbetet e paparashikueshme dhe e përfshirë në spektrin tashmë klasik, edhe sëmundje shumë serioze, e moderuar, infeksion i lehtë apo edhe asimptomatik, siç kemi parë tashmë në të kaluarën, para krijimit të vaksinave.
Varianti i ri Covid-19: çfarë trajtimesh?
“Terapitë tani mund të përdorin mjete të reja dhe efektive, si ilaçet antivirale, të cilat kanë një spektër të gjerë veprimi kundër koronaviruseve dhe antitrupat monoklonalë, njëri prej të cilëve është aktiv edhe kundër këtij varianti. Këto barna duhet t’u administrohen njerëzve, të moshuarve sapo shfaqin simptomat e para”,shton imunologu.
Ndër këshillat e tij ai shton se nisur nga lloji i barnave, administrimi i tyre duhet të bëhet në spital. Më tej Cossarizza thekson se për pacientët më të rinj, asimptomatikë dhe pa vështirësi në frymëmarrje, vlen ende protokolli ministror për kujdesin në shtëpi i synuar si monitorim i vazhdueshëm i parametrave vitale dhe kushteve klinike, me matjen periodike të oksigjenit.
Omicron 3, a mundet të ketë riinfektim për ata që kanë kaluar tashmë variante të tjera?
Për shkak të mutacioneve të saj, proteina spike e Omicron është paksa e ndryshme nga variantet e mëparshme, kështu që nuk është çudi që sistemi imunitar, edhe nëse është i trajnuar nga vaksinimi ose një infeksion i mëparshëm me një variant tjetër, “përpiqet pak për ta njohur atë dhe nuk është gjithmonë në gjendje të ndalojë infeksionin”.
Ka raste të shumta të njerëzve që janë riinfektuar pas disa kohësh dhe kjo do të thotë se, ne duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë. Por, ajo që kemi mësuar tashmë është se përgjigja imune, si antitrupat janë jashtëzakonisht efektiv në bllokimin e fillimit të sëmundjes së rëndë që Omicron mund të shkaktojë ende.

Si ta njohim Omicron?
“Për të njohur Omicron është e nevojshme të analizohet sekuenca e tij, e cila është shumë komplekse dhe e kushtueshme. Por, ky variant është dominant dhe prej disa javësh mbi 95% e infeksioneve në Itali janë shkaktuar nga ky virus. Disa javë më parë të dhënat tregonin se BA.2 ishte 1.5 herë më ngjitëse, krahasuar me nëntipin klasik Omicron, por që infeksioni kishte të njëjtin trend”,thotë më tej Cossarizza.
A do të jetë vera një kohë e qetë?
“Bërja e parashikimeve nuk ka qenë kurrë forca ime. Do të jetë një kohë e qetë pasi ne vazhdojmë të ruajmë rregullat më elementare të mbrojtjes, siç janë maskat në ambjentet e brendshme. E kuptoj që tani kjo është vërtet shumë e vështirë, për të gjithë, por edhe se është e rëndësishme për ta bërë këtë, veçanërisht kur ekziston një variant kaq ngjitës”,shton imunologu.
Covid-19, a po shkojmë drejt dozës së katërt për të gjithë?
Sipas imunologut është shumë herët për të folur për këtë. Ai shpjegon se fillimisht është thelbësore të përdoret doza e katërt, për të forcuar mbrojtjen e njerëzve të dobët dhe të moshuar.
“Ne gjithashtu duhet të kuptojmë se si të përmirësojmë reagimin imunitar të të gjithë atyre që kanë marrë tashmë tre dozat”,përfundon eksperti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje