Kryeministri Edi Rama ka theksuar se nuk do ta shqyrtojnë kërkesën e SPAK për Belinda Ballukun, pa vendosur Kushtetuesja për pezullimin.
Në podkastin “Flasim”, Rama nënvizoi se një shtet i së drejtës nuk duhet të kthehet në “shesh për karshillëk” mes pushteteve të pavarura.
“Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie”, tha Rama, duke shtuar se e ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, sipas tij, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, “sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër”.
Rama tha se sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojnë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, pa mbaruar njëherë me themel procesi që është hapur në Gjykatën Kushtetuese, “për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, thotë Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




