Gazeta Si – Në një aksion të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Tiranës këtë fundjavë, në disa zona të cilësuara problematike, për shkak të dendësisë së popullsisë dhe ndërtimeve pa kriter, u bllokuan 4 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi pa leje.
Objekti ndodhej në njësinë nr. 14, në lagjen e Astirit, ndërsa Policia Bashkiake ka nisur procedura për shembjen e tij. Pallati, sipas një njoftimi nga Bashkia e Tiranës, ishte në shkelje flagrante të rregullave të ndërtimit.
Po ashtu, policia njoftoi se ka ndaluar ndërtuesin e pallatit, Sino Llanaj, pasi ka kryer punimet në hapësirën publike pa leje.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6 ndaluan shtetasin S. Ll., 50 vjeç, pasi është konstatuar se në objektin e tij (pallat në ndërtim), në Yzberisht, ka kryer punime ndërtimi pa leje, në hapësirën e përbashkët të pallatit”.
Llanaj është edhe ndërtuesi i një kompleksi në zonën e ish-parkut të Autobusëve bashkë me Albert Allmuçën, por konflikti mes tyre ka lënë në qiell të hapur 120 familje.
Dy ndërtuesit u konfliktuan më 13 janar 2021, sherr që përfundoi në plagosjen e Llanajt. Familjet që kanë blerë apartamentet kanë protestuar para ministrisë së Drejtësisë, pasi nuk kanë mundur që të futen në banesa prej më shumë se 10 vitesh.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sula, i cili ndoqi nga afër dhe drejtoi aksionin, deklaroi se paligjshmëria nuk ka vend në Tiranë dhe se ndërhyrjet nuk do të ndalen.
Ai u bëri thirrje sipërmarrësve që të respektojnë rregullat e ndërtimit për të shmangur penalizimet, duke paralajmëruar se në të kundërt, do të përfshihen në “listën e zezë” të Bashkisë së Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



