Më shumë se gjysma e makinave që hynë në Shqipëri gjatë 10 muajve të parë të vitit janë mbi 10 vjet të përdorura.
Sipas të dhënave zyrtare nga janari deri në tetor janë regjistruar 57.340 automjete për herë të parë, nga të cilat 48.636 janë autovetura, ku 65.6% e të cilave janë të prodhuara para vitit 2010.
Në vitin e karantinës nga Covid-19, në 2020 këto makina të vjetra zinin 90.1% të të gjithë makinave që janë rregjistruar për herë të parë.
Këtë vit numri i makinave më të vjetra se 10 vjet është dhe më i lartë.
Në përgithësi edhe pse financat e shqiptarëve kanë qenë të dobëta nga pandemia, kërkesa për maikna nuk është reflektuar. Sipas të dhënave të DPSHTR-së, numri i makinave të regjistruara për 10 muaj në 2021 kalojnë me 2% numrin total të regjistruar në 12 muaj të vitit 2020 dhe rreth 4% të të gjithë vitit 2009.
Por as Covid dhe as ligji nuk i ka ndalur rritjen e makinave tepër të vjetra.
Ndonëse në fuqi është një ligj që ndalon importin dhe përdorimin e makinave me mbi 10 vite prodhim, 70% e makinave që lëvizin në Shqipëri janë të prodhuara deri në vitin 2009.
Sipas drejtuesit të Auto Treg Albania, një pikë shitjeje për makina në vendin tonë, qytetarët janë më të prirur të blenë makina të prodhuara para vitit 2010 sepse janë më të përballueshme ekonomikisht. Ai tregon për Gazeta SI se sipas markës së një autoveture dhe gjendjes në të cilën është çmimet luhaten nga 2.000 deri në 5.000 euro. Pra përgjthësisht një kosto e përballueshme dhe marrëdhënie e leverdisshme.
Me këtë vlerë, këto makina përjashtohen nga taksa e luksi, por paguajnë më shumë në taksë automjetesh lidhur kjo me koeficentin e vendosur sipas vjetërsisë, nga 0.18 për makinat +5 vite deri në 0.44 për makinat deri në 15 vite të dala në treg.
Importuesit e makinave të përdorura mbi 10 vjet në Shqipëri, që nuk dëshirojnë të bëhen publikë, thonë për gazetasi.al se ligji i miratuar në fund të vitit 2018, që ndalon importin e makinave të prodhuara para vitit 2010, nuk është efektiv dhe askush nuk i ndalon ato t’i sjellin këto mjete në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre janë të regjistruar dhe qarkullojnë në kryeqytet. Të ardhurat nga makinat që importohen në Shqipëri, përbëjnë rreth 4% të të ardhurave totale nga taksat doganore vjetore.
Në tërësi në Shqiëpri sot më shumë se 50% e totalit të makinave që lëvizin janë të prodhuara para 2005, mbi 340 mijë të tilla. Pjesa tjetër deri në 2010, 158 mijë të tilla dhe shumë pak pas 2010 e deri në 2020-2021. Pra vetëm rreth 10% e makinave që lëvizin në Shqipëri janë në përputhje me ligjin e 2019-s.
Nga të dhënat e DPSHTRR-së, për herë të parë makina më e preferuar ishte e markës Volkswagen me 19.2% të totalit të regjistrimeve, ndjekur nga Mercedes Benz e cila ka qenë marka më e preferuar nga shqiptarët ndër vite me 17.19% të totalit, për 2021.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.