Treg

Importi i kafesë dhe cigareve u rrit në 10 muajt e parë të vitit, por kafeja po konsumohet më shumë në shtëpi

Importi i kafesë për muajt janar-tetor të këtij viti është rritur në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë për periudhën janar-tetor 2021 importi i kafes është rritur rreth 9% krahasuar me 2020.

Te mallrat e akcizës rritje ka shënuar edhe importi i cigareve. Në 10 muajt e parë të këtij viti janë importuar 7% më shumë cigare se vjet, ndërsa në raport me periudhën para krizës importet janë më të ulëta.

Pavarësisht rritjes të importit të kafes tendenca e konsumit të saj shfaqet më e lartë në shtëpi sesa në lokale.

Enri Jahaj, kreu i Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve, tha disa ditë më parë për Gazetasi.al se sjellja konsumatore ka ndryshuar nga pandemia e Covid-19.

Sipas tij këtë vit më tepër kafe është konsumuar në shtëpi sesa në bare, pavarësisht se me nisjen e vaksinimit të popullatës pritej të ndryshonte tendenca e konsumit. Ai shtoi se arsyeja kryesore e kësaj tendence është pamundësia financiare për të frekuentuar zona përtej lagjes ku banojnë, por edhe kufizimi i orarit të daljes.

Në tërësi sipas përfaqësuesit të Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve aktualisht konsumi shfaqet 20-30 % më pak se vjet, ndërsa është vënë re rritje e frekuentimit të restoranteve jashtë Tiranës në këtë periudhë festash, pasi kufizimi i orarit nuk ndihet në zonat jashtë kryeqytetit.

Në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë