Nga Gazeta ‘Si’- Ata të dy kanë luftuar politikisht njëri-tjetrin prej shumë vitesh.
Por në një ‘piruetë’ groteske, me kumbar Sali Berishën, Shpëtim Idrizi, përfaqësuesi i zhurmshëm i çështjes çame, ka shtrënguar duart me Vangjel Dulen, nga minoriteti grek, i cili jo vetëm ka luftuar kundër çdo tentimi për avancimin e kësaj çështje por e ka ironizuar atë si ‘një kartë e djegur elektorale’.
Madje kur u shkarkua nga nënkryetar parlamenti dhe u zëvendësua nga Idrizi, Athina e acaruar nga kjo rrokadë e quajti, kreun e PDIU-së mbartës të ideve nazi-fashiste.
Idrizi rezervoi sikundërpërgjigje për Dulen, etiketën “Zervist” të kohëve moderne që nxorri në pah “atë që i vlon në zemër e mendje”.
Tani, teksa ndodhen ‘nën çadrën’ e Partisë Demokratike, imagjinoni pak se si do i qasen të dy ata çështjes së kufirit detar me Greqinë, e cila në fakt është një nga piketat kryesore që Sali Berisha ka evidentuar gjatë fushatës.
Marrëveshja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë që cakton ujërat territoriale të dy vendeve, ka mbetur pezull që kur këto dy shtete vendosën që ta dërgojnë çështjen në gjykatën ndërkombëtare të Hagës.
Vetëm pak ditë më parë, Berisha deklaroi se çështja e kufirit detar me Greqinë mund të zgjidhet shumë lehtë, sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet. Për këtë, sipas tij mjafton vetëm fryma e bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve, porse marrëveshja e 2009-s që i dha det Greqisë ishte e mirë.
Sërish imagjinoni se kur Berisha të ketë shanse të ulet në negociata me grekët çfarë do t’i thonë në vesh “nazisti” Idrizi dhe “zervisti” Dule.
Për marrëveshjen e mirë sipas Berishës me Greqinë për detin, kreu i PDIU, tha se kufijtë tokësorë dhe detarë janë mirëpërcaktuar kohë më parë dhe Shqipëria nuk ka asgjë për të falur.
“Është e papranueshme dhe në dëm të interesit dhe integritetit kombëtar pranimi nga qeveria shqiptare i deklaratave të Greqisë se do të zgjerohet me 12 milje. Dhënia me fuqi të plotë i dy ishujve do të na kushtojë kur të rinisim negociatat për zonat ekonomike, sepse vërtet Greqia nuk do të na hyjë kodra pas bregut siç thotë kryeministri mbi ne (nënkupto Berishën), por do të jenë kufiri fundor nga i cili do nisen për të përcaktuar zonat ekonomike dhe prapë Shqipëria do të ngushtohet”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, Vangjel Dule, për çështjen e 12 miljeve, ka deklaruar se Shqipëria duhet të shikojë pak më gjerë në mënyrë që të dyja vendet sipas tij, të përdorin resurset në mënyrë të përbashkët.
“Duhet të çlirohemi, të shikojmë pak më gjerë. Nuk mbahet peng opinioni me përralla të kësaj natyre”, është shprehur Dule.

Ndërsa Idrizi thotë se Shqipëria nuk ka asnjë ngutje për ta zgjidhur çështjen me Greqinë, Dule ka deklaruar se sipas tij jo vetëm që marrëveshja e 2009-s është e drejtë nëse do ishte implementuar tamam, por është i hapur edhe për një marrëveshje të re.
Idrizi ka qenë edhe kundër platformës së ndjekur nga Rama për çështjen e kufirit detar edhe pse qëndrimi i socialistëve nuk ishte aq bujar sa Berisha. Çfarë nuk bëri Idrizi kur Dendias atëherë ministri i jashtëm grek vizitoi Shqipërinë.



Grekët nuk e harrojnë dot kur ai me vrap gjuajti shishen e ujit ndaj eskortës greke në Tiranë.
Por, çështja e kufijve nuk është e vetmja. Një pikë tjetër vlimi, do të ishte dhe ajo e çamëve.
Në takimin e fundit që zhvilloi në Athinë, Berisha në fakt nuk e preku Çështjen Çame, por megjithatë, ajo ka qenë gjithmonë e pranishme dhe e trashëguar në bisedimet e Shqipërisë me Greqinë, në cilëndo prej qeverive. Sakaq, edhe një pikë e nxehtë konflikti mes Idrizit dhe Dules.
Në replika të herëpashershme për Idrizin, ky i fundit vijon të pretendojë se nuk ka një kauzë çame.
“Për çfarë kauze e keni fjalën? Historia nuk ribëhet, nuk negociohet dhe nuk parashkruhet”, citon ai.
Qasja kaq agresive e këtyre dy drejtuesve politike për çështje thellësisht kombëtare vështirë se shtron rrugët drejt një pajtimi që ka brumë.
Ndoshta një deklaratë e hershme në 2018 kur pati një koalicion të ngjashëm i jep shpjegim: “I kemi sa për të larguar Ramën”.
Dakord, po çështjen shqiptare?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.