Gjyqtari Ilir Toska zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Toska është zgjedhur nga Gjykata e Lartë me 13 vota, duke u renditur në vend të parë. Për këtë post, nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ishin propozuar edhe dy kandidatura të tjera, Manjola Xhaxho dhe Holta Zacaj.
“Në përfundim të procesit të votimit, komisioni renditi të parin z. Ilir Toska me 13 (trembëdhjetë) vota. Në këto kushte, z. Ilir Toska zgjidhet anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe i dërgohet për botim Qendrës së Publikimeve Zyrtare”, njofton Gjykata e Lartë.
Gjykata Kushtetuese nisi punën në dhjetor 2020, pasi u plotësua kuorumi me 7 anëtarë. Aktualisht, me shtimin e zotit Toska në radhët e saj, ajo ka në përbërje 8 anëtarë.
Në total, Kushtetuesja duhet të ketë 9 gjyqtarë, 3 të emëruar nga Presidenti i Republikës, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.