Drejtësia

Ilir Meta si Veliaj, kërkon të mos mbahet në kafaz gjatë seancave gjyqësore

Gazeta Si – Një ditë pas kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, edhe ish-presidenti Ilir Meta kërkon të mos mbahet në kafazin e xhamit në sallat e gjyqit të Gjykatës së Posaçme.

Avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka depozituar një kërkesë në GJKKO, kërkon që klienti i tij të ulet pranë mbrojtësit gjatë seancave.

Sipas kërkesës, mbajtja në kafazin e xhamtë e stigmatizon Metën para trupit gjykues, publikut dhe mediave, krijon perceptimin e rrezikshmërisë dhe “fajësisë së paracaktuar”, ia pamundëson komunikimin e lirë, konfidencial e të menjëhershëm me avokatin dhe e trajton si objekt sigurie, jo si objekt të së drejtës.

Duke e konsideruar si shkelje kushtetuese mbajtjen e klientit të tij në kafazin e sallës gjatë seancave, avokati kërkon përfundimisht nga gjyqtarja Irena Gjoka, “konstatimin e shkeljes së të drejtave kushtetuese, ndërprerjen e menjëhershme të kësaj praktike dhe vendosjen e të pandehurit pranë avokatit pa barrierë fizike dhe pa izolim, sipas parimeve të dinjitetit njerëzor”.

Ai citon praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke theksuar se vendosja e të pandehurit në kafaz metalik është cilësuar nga GJEDNJ si “trajtim poshtërues dhe çnjerëzor”.

Një ditë më parë, Erion Veliaj, ndërsa kishte përballë prokurorin e SPAK, Olsi Dado, ngriti shqetësime për mënyrën e trajtimit të tij në sallë, duke theksuar se vendosja në kafaz para trupit gjykues është një masë poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

SPAK më 28 korrik mbylli hetimet për Metën, Kryemadhin dhe 3 të pandehurit e tjerë, ku dosja ndaj tyre përmban tre hetime, një në aferën “CEZ-DIA”, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Për Metën dhe Kryemadhin akuzat janë të njëjtat: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë