Gazeta Si – Thuajse 3 muaj pas arrestimit në 21 tetor 2024, ish-presidenti Ilir Meta i kërkon Gjykatës së Lartë ta lirojë nga burgu, ku akuzohet nga SPAK për “korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë”.
Përmes avokatit të tij, Genc Gjokutaj, Meta ka depozitur një rekurs kundër vendimit të 19 nëntorit 2024 (të Apelit të Posaçëm), që konfirmoi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. Në një prononcim para SPAK, avokati tha se “ligjërisht Meta nuk duhet të qëndrojë në burg”.
“Ka një kallëzim të rremë, dëshmitarë të rremë dhe prova në kundërshtim me ligjin për 3 episodet. I jemi drejtuar Gjykatës së Lartë për revokimin e masës së arrestit me burg, – u shpreh Gjokutaj për mediat. – Ai ka zgjedhur të përballet me hetimin.
Gjokutaj theksoi se Meta është në cilësinë e Presidentit të Partisë së Lirisë dhe duhet ta ushtrojë detyrën e tij, aq më tepër në prag të zgjedhjeve parlamentare, duke bërë një krahsim me rastin e zëvendësimit të masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit Verisha.
“Do e vazhdojmë këtë betejë, njëjtë si me zotin Berisha, vijoi Gjokutaj, ne ishm të bindur deri sa u bindën edhe ata… Do t’i drejtohemi Strasburgut nëse do të jetë e nevojshme. Pasi të lexoj vendimin do mundohem ta kuptoj dhe më pas do të vendos se çfarë do të bëj”, – deklaroi avokati Gjokutaj.
Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit zbardhi vendimin që e la me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha për aferën “Partizani”, ku para së gjithash prevalon fakti që vendi është “para fushatës zgjedhore” dhe se ish-kryeministri “është lideri i opozitës”.
Gjykata tha në arsyetimin e saj se janë marrë parasysh disa arsye që arritën në përfundimin se masa e sigurisë “arrest në shtëpi” nuk ishte më e nevojshme.
Më 7 janar 2025, Meta u pyet për rreth dy orë në Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsion, ku dha shpjegime lidhur me kontratat e lobimit në SHBA.
Ish-presidenti u vu në pranga më 21 tetor të vitit të shkuar, ku prej 3 muajsh qëndron në paraburgim, teksa po hetohet nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.