Drejtësia

Ilir Meta mbetet në burg, Gjykata e Lartë i refuzon lirinë

Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për t’u liruar, pasi ndodhet në praburgim prej 21 tetorit 2024 me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Ndërkohë, sot ishte parashikuar të mbahej seanca paraprake ndaj Metës, e cila u shty për në datën 5 dhjetor.

SPAK më 28 korrik mbylli hetimet për Metën, Kryemadhin dhe 3 të pandehurit e tjerë, ku doja ndaj tyre përmban tre hetime, një në aferën “CEZ-DIA”, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Për Metën dhe Kryemadhin akuzat janë të njëjtat: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.

Më herët, kreu i PL ishte sot i pranishëm në seancë ndryshe nga herët e tjera dhe avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se në vazhdim, Meta do jetë i pranishëm personalisht për t’u përballur me pretendimet e SPAK kundër tij.

“Meta do jetë në çdo seancë, sepse do të përballet me çështjen. Ju e njihni që nuk është njeri që fshihet, por që përballet. Do jetë në çdo seancë për të dëgjuar çdo pretendim”, – u shpreh Cakrani duke shtuar: ”Zoti Meta ka pasur qëndrim korrekt. Është i relaksuar, ndoshta dhe palestra dhe shkrimi që po bën për librin që do nxjerrë e kanë relaksuar. Jemi në përballje nga sot”.

Sa i takon kërkesës së Metës për t’u pyetur si dëshmitar për “21 janarin”, Cakrani tha se ish-presidenti është gati të flasë me fakte dhe dokumente sekrete të papublikuara më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë