Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka lënë në burg ish-presidentin e vendit, Ilir Meta, duke lënë të pandryshuar vendimin e dhënë më herët nga Apeli i Posaçëm i GJKKO-së.
Rekursi u rrëzua edhe për Monika Kryemadhin, e cila argumentonte në kërkesën e saj se masa “detyrim paraqitjeje” është e paligjshme.
Ndaj Metës dhe Kryemadhit rëndojnë 3 akuza, “pastrim parash”, “korrupsion” dhe “mosdeklarim pasurie”. Ndërkohë, SPAK ka nisur edhe hetim pasuror për familjen e tyre.
Meta që mbahet i arrestuar prej 21 tetorit 2024, kërkoi një masë më të butë sigurie, ku një ndër argumentet e theksuara në rekurs, lidhej me fushatën elektorale të 11 majit, si drejtues i forcës së dytë opozitare në vend.
Izolimi në qeli sipas presidentit të Partisë së Lirisë, i pengon karrierën politike dhe zhvillimin e fushatës zgjedhore.
Ish-presidenti dyshohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie lidhur me dosjet e bashkuara CEZ-DIA, lobimi i ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.
Më herët, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit, kanë lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, duke bërë që Meta prej afro 4 muajsh të mbahet i izoluar në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet apo siç njihet ndryshe 313-ta.
Në dosjen hetimore të SPAK prej 176 faqesh që çoi në pranga ish-presidentin Meta dhe vuri në akuzë 3 të tjerë, Prokuroria e Posaçme shprehet se janë vërtetuar veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie në disa raste.
Së pari, për marrëveshjen e CEZ me DIA, SPAK thotë se ka administruar prova se Meta në kohën që ka qenë ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës ka përfituar para në formën e korrupsionit nga biznesmeni Kastriot Ismailaj, në cilësinë e administratorit të kompanisë DIA.
Ky dyshim, provohet sipas prokurorisë edhe përmes disa përgjimeve të realizuara vite më parë, mes të cilave 1 në vitin 2009.
SPAK, shprehet se Meta përmes një sms-je i kërkon biznesmenit, Ismailaj para. Marrëdhënia e ngushtë mes tyre sipas organit të akuzës provohet dhe nga udhëtimi i tyre drejt Çekisë, atje ku SPAK ka dyshimet se ka nisur marrëveshja mes CEZ dhe DIA.
Një tjetër çështje në dosjen hetimore, është dhe ajo e shpenzimeve mjekësore të ish-çiftit, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, në vlerën e rreth 106 mijë eurove, para këto që nuk janë deklaruar prej tyre.
Këto shpenzime janë zbuluar nga SPAK dhe janë pasqyruar në dosjen voluminoze. Gjithashtu, shpenzime të tjera të reflektuara në materialin hetimor, është dhe pagesa prej 400 mijë dollarësh e kryer nga LSI për lobim në SHBA, por që nuk është bërë përmes llogarive të LSI-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



