Nga sot, Kreu i Shtetit, Ilir Meta do të drejtoje Presidencën me staf të ndryshuar.
E paralajmëroi më herët Edmond Panariti se do të shkonte për një detyrë “ të rëndësishme” në Presidencë, ndërsa vetëm pak minuta më pas ishte vetë Presidenca që propozonte ndryshime në stafin e ngushte të Ilir Metës me argumentin se edhe sfidat ishin të mëdha.
Presidenti i Republikës pranoi dorëheqjen e Bahri Shaqirit nga detyra e Këshilltarit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, “për shkak të angazhimeve të tij në të ardhmen, që nuk përputhen me këtë detyrë tepër të rëndësishme”.
Në vend të tij, Ilir Meta emëroi Spiro Koçin që deri sot ushtronte detyrën e Këshilltarit Diplomatik. Në këtë detyrë, Meta emëroi Arben Cicin, i cili më herët ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Kabinetit.
Në vend të Cicit, Meta sjell ish-ministrin e LSI, Edmond Panariti.
Meta i argumenton lëvizjet me logjikën e një kryeministri se prioritetet janë të mëdha si; sfidat e pandemisë COVID-19 dhe shëndetit publik, sfidat me të cilat përballet faktori shqiptar, shpopullimi i vendit, sfidat në arsim dhe ato në mjedis.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.